Një 36-vjeçar shqiptar ka humbur jetën nga një aksident tragjik mbrëmjen e kaluar në Itali, pasi një makinë e cila po ecte me shpejtësi e mori atë para për disa metra duke e lënë të vdekur.
Viktima është identifikuar si Gazment Bushi, me profesion murator. Mediat italiane shkruajnë se ai kishte dalë për të kaluar një mbrëmje me miqtë në Tarracën Mascagni, dhe kishte lënë në shtëpi gruan, djalin 8 vjeç dhe vajzën 1 muajshe.
36-vjeçari shqiptar teksa po kthehej nga festa po kalonte vijat e bardha në Livorono kur papritur u godit nga një Porsche me shpejtësi të lartë.
Ai shoqërohej nga një mik kur po kalonte rrugën, teksa drejtuesi i “Porsche” në gjendje të dehur e përplasi për vdekje duke e hedhur mbi 100 metra në asfalt. Shoferi, rezultoi pozitiv për testin e alkoolit, të kryer përmes testeve të gjakut në urgjencë.
Gazment Bushi punonte murator në Itali në firmën e vëllait të tij, Edli Bushi, ndërkohë që ishte i treti nga pesë vëllezërit. Bushi u transportua i gjallë në spital falë masazhit kardiak, por nga dëmtimi i rëndë që kishte pësuar në kokë nuk mundi të mbijetonte.
/Burimi: Il Tirreno/ përshtati Priza.al/