Tragjedia e familjes Gushi/ Ditari i 14-vjeçares gjendet në skenën e aksidentit: Jam shumë e lumtur që do ikim në Shqipëri!

Eduard, Silvana Gushi dhe dy vajzat e tyre të mitura Anastasia dhe Eva u shuan si një yll në qiell pas aksidentit tragjik në aksin Fier-Vlorë më 25 qershor. Makina me të cilën udhëtonin si familje u godit nga një tjetër mjet nga pas, duke i nxjerrë nga rruga dhe për pasojë humbën jetën të katërt.

Sot në Fier është mbajtur një protestë përkujtimore, për familjen Gushi. Qytetarët dhe të afërmit dolën në rrugë me pankarta në duar, ku kërkuan drejtësi për 4 anëtarët e familjes fatkeqe: Eduart Gushin, 44 vjeç, gruan e tij, Silvana Gushin, 33 vjeçe, dhe dy vajzave të tyre të mitura, Anastasia dhe Eva, 12 dhe 9 vjeçe.

Gjatë protestës është lexuar edhe një pjesë nga ditari i vajzës së vogël Anastasia. Ky është një prej kujtimeve më të forta që tashmë gjyshërit dhe familjarët e tjerë do të kenë prej saj. Ka qenë kushërira e vogëlushes që ka lexuar sot pjesë nga ditari i Anastasias, e cila vetëm pak ditë para se të vinte në Shqipëri kishte hedhur mendimet dhe emocionet e saj në letër, në ditarin që e quante “Junakuk”.

“Sapo filloi behari do të shkojmë në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që do të takoj nënën, gjyshin, tezen. Dua kur të vete në Shqipëri, të dalë dhe të blej shumë gjera. Dua të vete në shumë vende që nuk kam vajtur dhe të blejë shumë gjëra. Po nuk vajtën se di. Babi do na blejë shumë gjëra, një tabletë të dyjave. Bëj shaka. Dua të vetë, por dua dhe të marr tabletin se dua të bëj mësimet. Sot vajtëm nga parku dhe lozëm. U kënaqëm. Por jam e mërzitur dhe nuk e di pse. Babi do iki në punë”, thuhet në një pjesë të rrëfimit në ditarin e Anastasias.

“Junakuk, kanë mbetur edhe 15 ditë për të vajtur në Shqipëri, jam shumë e lumtur të vemi në Shqipëri. Atje do kënaqemi. Do jem e lumtur. Jam e lumtur. Ti ke thënë që të jem e lumtur. ‘Junakuk’ dua të them se e nxora mesataren këtë vit 16, por vitin tjetër të premtoj se do ta nxjerr më shumë. Të jap llafin….”, thuhet në një pjesë të rrëfimit.

Ditari i vogëlushes u gjet në rrugë, bashkë me sende të tjera të tyre, që tashmë do të jenë një kujtim i fortë për familjet e viktimave.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *