Tragjedia e tërmetit në Turqi/ Ekspertët: Shkak zbatimi i dobët i ligjeve të ndërtimit

Turqia për vite me radhë ka rrezikuar duke mos zbatuar ligjet moderne të ndërtimit. Vendi ka lejuar dhe në disa raste, edhe ka inkurajuar ndërtime të objekteve në zonat që janë të rrezikuara më shumë nga dridhjet e tokës, thonë ekspertët. Zbatimi i dobët i ligjeve moderne, për të cilin ekspertët e gjeologjisë dhe inxhinierisë kanë paralajmëruar prej kohësh, po debatohet sërish pas tërmeteve shkatërruese të kësaj jave, të cilët rrafshuan mijëra ndërtesa dhe vranë më shumë se 21,000 njerëz në Turqi dhe Siri.

“Kjo është një katastrofë e shkaktuar nga ndërtime të dobëta, jo nga tërmeti”, tha David Alexander, profesor i planifikimit emergjent në “University College” në Londër. Ai tha se kjo përfshin shumë ndërtesa të vjetra, por edhe apartamente të ngritura vitet e fundit, gati dy dekada pasi vendi miratoi ligjet e ndërtimit sipas standardeve moderne. “Struktura e ndërtesave në zonë ishte e dobët dhe jo e qëndrueshme, pavarësisht nga fakti se është zonë që përballet me termete”, tha zoti Muhcu.

Problemi kryesisht u shpërfill, thanë ekspertët, sepse trajtimi i tij do të ishte i shtrenjtë, jopopullor dhe do të frenonte një motor kyç të rritjes ekonomike të vendit.

Ekspertët thanë se ka një mal me prova dhe shumë rrënoja që tregojnë një realitet të rëndë për arsyet përse tërmetet ishin kaq vdekjeprurës: Edhe pse Turqia ka të miratuara ligje ndërtimi që plotësojnë standardet aktuale të inxhinierisë së tërmeteve, ato shumë rrallë zbatohen, gjë që shpjegon arësyen përse mijëra ndërtesa u shkatërruan.

Në një vend të kryqëzuar nga linjat e çarjeve gjeologjike, njerëzit janë të shqetësuar se kur dhe ku mund të godasë tërmeti tjetër, veçanërisht në Stamboll, një qytet me më shumë se 15 milionë banorë që është i prekshëm nga tërmetet.

Pak para zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe parlamentare të Turqisë në vitin 2018, qeveria parashtroi një program gjithëpërfshirës për të dhënë amnisti për kompanitë dhe individët përgjegjës për disa shkelje të kodeve të ndërtimit të vendit. Duke paguar një gjobë, shkelësit mund të shmangnin detyrimin për të rregulluar ndërtesat e tyre. Amnisti të tilla janë përdorur edhe nga qeveritë e mëparshme para zgjedhjeve./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *