Fansat e K-pop-it në mbarë botën janë në zi për humbjen e artistit Lee Ji-han. Artisti i ri ishte mes më shumë se 150 njerëzve të vrarë gjatë një feste të “Halloween” në Seul në Korenë e Jugut më 29 tetor. Ai ishte 24 vjeç.
Të nesërmen pas tragjedisë, ‘935 Entertainment’, e cila përfaqëson Ji-han, njoftoi nëpërmjet një deklarate që konfirmonte lajmin tragjik.
“Ne jemi të trishtuar që japim një lajm të tillë sot, por Lee Ji-han ka ndërruar jetë në tubimin në Itaewon mbrëmë. Dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e tij, të cilët janë të pikëlluar nga lajmi i papritur tragjik, si dhe për të gjithë ata që e kanë dashur atë “– thuhej në deklaratën, për Entertainment Tonight.
Agjencia vijoi duke thënë se: “Lee Ji-han buzëqeshi plot shkëlqim kur na përshëndeti gjatë gjithë kohës. Ai kishte energji të pastër dhe pozitive me pasion të madh për aktrimin. Është shumë e vështirë të besohet se ne nuk mund ta shohim më atë. Ju lutemi dërgoni lamtumirë të ngrohtë Lee Ji-han. Ai do të mbahet mend gjithmonë.”
Ji-han ishte një nga pjesëmarrësit në festën që u kthye në tragjedi, fundjavën e Halloween. Sipas CNN, vendi ka filluar një periudhë zie njëjavore ndërsa zyrtarët përpiqen të kuptojnë se çfarë e shkaktoi këtë fatkeqësi. Policia tha për median se të paktën 150 nga viktimat janë identifikuar.
Ji-han u bë i famshëm ndërsa konkuronte në sezonin e dytë të konkursit korean të këndimit, Produce 101, ku këngëtarët do të garonin për të zënë një vend në një grup djemsh. Më pas ai nisi rrugën e tij drejt aktrimit, duke luajtur në serialin komedi të 2019-ës, “Today Was Another Nam Hyun Day.”