Tragjedia në Kroaci/ Rama, Basha, Osmani dhe Kurti mesazh ngushëllimi familjarëve të viktimave

Një aksident tragjik ndodhi sot në Kroaci, ku një autobus i linjës Frankfurt-Prishtinë doli nga rruga dhe si pasojë humbën jetën 10 persona. Mosha e të vdekurve dhe të plagosurve ende nuk dihet. Pas lajmit të hidhur, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kreu i PD-së Lulzim Basha, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Ata shprehen të tronditur dhe ngushëllojnë të afërmit e viktimave.

“Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova. Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave!”, shkruan Rama.

Shkrimi i Bashës

Me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, në të cilin sipas të dhënave të para ka viktima dhe të plagosur. I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!
Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve.

‘Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë.
Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar.
Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!
Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë.
Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t’u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik’, shkruan Vjosa Osmani.

Shkrimi i Kurtit

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *