Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka reaguar në lidhje me tragjedinë e Himarës, ku humbi jetën e mitura Joanda Avdia.
Nano tha se policia është dy herë përgjegjës, ku shtoi se nuk do të ketë tolerancë ndaj shkelësve të ligjit.
Sakaq shtoi se pavarësisht se autori rezulton ish-punonjës policie, kjo nuk mund të përbaltë punën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë për sigurinë e sezonit turistik.
“Në radhë të parë, dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Avdia, e cila humbi vogëlushen në një aksident tragjik, ditën e djeshme. Ne jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit, për ketë ngjarje, duke qenë se autori i kësaj ngjarjeje ishte një oficer policie. Autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në flagrancë, në vendin e ngjarjes. I kërkoj organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal. Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës.