Tragjedia në plazhin e Potamit, Media Britanike pasqyron vdekjen e rëndë të 7-vjeçares

Media britanike “The Mirror” ka pasqyruar ngjarjen e rëndë që ndodhi në brigjet shqiptare, tragjedinë ku humbi jetën Jonada Avdia, vajza 7-vjeçare e goditur nga skafi i shefit të policisë, tashmë të shkarkuar dhe përjashtuar, Arjan Tase.

Sipas The Mirror, 7-vjeçarja Jonada Avdia, jetonte në Barking, në lindje të Londrës.

“Një vajzë e re britanike ka humbur jetën në një aksident të tmerrshëm pasi dyshohet se u godit nga skafi i një polici jashtë shërbimit teksa po pushonte në Shqipëri.

Vdekja e Jonada Avdias ka sjellë protesta në të gjithë vendin duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave.

Shtatë vjeçarja humbi jetën pasi polici Arjan Tase dyshohet se po manovronte rrezikshëm me skafin e tij në plazhin e Potamit në Himarë, në jug të Shqipërisë.

Policia konfirmoi se rreth orës 14:00 të së martës shoferi i skafit humbi kontrollin dhe goditi fëmijën nga Barking në Londër, e cila vdiq menjëherë në vendngjarje.

Ai pritet të dalë të premten para gjykatës së Vlorës pasi u akuzua për vrasje nga pakujdesia”, shkruan The Mirror.

Pedagogu Bislim Ahmetaj ka shpërndarë një postim prekës në rrjetet sociale duke thënë:

Shqiptarët po vajtojnë për Jonadën dhe familjen e saj, ndërsa për ty, vrasës i fëmijëve dhe ëndrrave, nuk do të ketë varr. Drejtësia për Jonadën duhet dhe do të vendoset nga qytetarët shqiptarë”.

Ai zbuloi gjithashtu një bisedë prekëse që kishte bërë me babain e vajzës, Bledarin.

Babai i pikëlluar i tha se po e mbante për dore vajzën e tij kur ajo u godit dhe tha “Duhet të kisha vdekur unë”.

Vajza e re ishte me pushime me familjen në vendlindjen e prindërve të saj, por familja thuhet se ka jetuar në Britaninë e Madhe për dy dekadat e fundit dhe Jonada ka lindur në Londër.

Për shkak të aksidentit tragjik, Drejtori i Policisë Gledis Nano shkarkoi rreth 15 efektivë, duke thënë se “nuk do të tolerojë asnjë oficer policie, drejtues që nuk zbaton me rigorozitet dhe ndershmëri detyrat funksionale, në interes të mbrojtjes së jetës së qytetarëve”.

Ky është rasti i tretë në një muaj ku skafet në plazhet e Shqipërisë u shkaktojnë aksidente turistëve.

Me qindra qirinj dhe lule janë vendosur aty ku humbi jetën Jonada, si dhe para Kryeministrisë./The Mirror


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *