Shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe personat përgjegjës, për moszbatimin e masave shtesë për parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese, në zonat bregdetare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, pas analizës së hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme, në Potam, Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie, bazuar në konkluzionet e nxjerra nga analiza e situatës, mori vendimin për shkarkimin nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues dhe të personave përgjegjës në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano u shkarkuan nga detyra:Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, me detyrë Drejtor i DVKM Vlorë.
Komisar Fatos Muka, me detyrë Shef Sektori i Kufirit në DVKM Vlorë.
Kryekomisar Andon Marko, me detyrë Shef Sektori i Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë.
Inspektorë Andrea Zenelaj, Besnik Limaj, Fatos Pashaj dhe Arsen Hasanaj, trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi.
Ndërkohë, grupi i posaçëm, i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i përbërë nga specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike, vijon punën për eleminimin e mangësive, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese.
Drejtori i Përgjthshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano është i vendosur për të mos toleruar asnjë punonjës policie, drejtues apo zbatues, që nuk zbaton me rigorozitet dhe ndershmëri detyrat funksionale, në interes së mbrojtjes së jetës së qytetarëve.
Policia e Shtetit i shpreh edhe një herë familjes Avdia, ngushëllimet më të sinqerta, dhe siguron qytetarët se punonjësit e Policisë në të gjithë vendin janë duke punuar me përkushtim dhe sakrificë për të garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe për të luftuar paligjshmërinë, ndaj ngjarja shumë e rëndë që ndodhi mesditën e sotme nuk duhet të përbaltë dhe të hedhë poshtë punën e mijëra punonjësve të Policisë në të gjithë vendin.