Tragjedia në stadium/ Të afërmit e viktimave: Po kërkonim korridoreve të spitalit, na treguar trupat e tyre

Mohammad Hafis nuk duhej të ishte brenda stadiumit Kanjuruhan mbrëmjen e së shtunës, pasi nuk kishte biletë. Por 19-vjeçari dhe e dashura e tij kishin arritur që të hynin brenda.

Trupat e tyre u identifikuan nga prindërit disa orë më vonë, teksa endeshin nëpër korridoret e një spitali të mbushur plot pas tragjedisë së stadiumit në Malang, Indonezi.

Të paktën 125 njerëz, shumë prej tyre adoleshentë si Mohammad, vdiqën gjatë rrëmujës në stadium, shkaktuar nga policia që hodhi gaz lotsjellës ndaj tifozëve.

Oficerët hodhën gaz lotsjellës pasi tifozët e skuadrës humbëse Arema FC, u futën në fushë pas fishkëllimës së fundit.

Tifozët u larguan drejt daljeve të stadiumit ku shumë prej tyre vdiqën, u shkelën ose u mbytën.

Babait të Muhamedit, Alif, iu kujtua momenti teksa ecte nëpër korridoret e spitalit disa orë më vonë, duke pyetur veten nëse djali i tij i vetëm ishte gjallë. Ai i tha gruas së tij të ishte e fortë.

“Kur më treguan trupin e pajetë të djalit tim, u ndala. Nuk doja ta shihja. Ishte shumë”, tha ai për BBC. “Po qaj, por më duhet ta lë që të shkojë. Shpresa ime për futbollin në Indonezi? Mjaft. Ky është fundi, nuk ka më futboll në Indonezi.”

Të gjitha ndeshjet në Liga janë anuluar pasi kombi po përballet me tragjedinë e madhe.

Një komunitet i shkatërruar po kërkon përgjigje dhe llogari për tragjedinë e ndodhur.

Shumë nga të vdekurit ishin të rinj dhe të reja. Të paktën 32 fëmijë vdiqën në përleshje, duke përfshirë një 3 vjeçar.

Të hënën, 22-vjeçarja e mbijetuar Aris Usmatul u kthye në stadium për të vendosur lule.

Ajo tha se ishte tmerruar kur doli nga portat të shtunën dhe pa trupa të pajetë në rrugë dhe njerëzit u rrëzuan rreth saj.

“Pse policia nuk hodhi gazin lotsjellës në fushë? Pse e hodhi atë në tribuna? Kishte shumë gra dhe fëmijë dhe shumë nga portat ishin të mbyllura. Ata nuk mund të dilnin.”

Qeveria e Indonezisë ka dekretuar një kompensim prej 3,300 dollarë për secilën nga familjet e viktimave. Presidenti Joko Widodo ka urdhëruar një hetim, duke u zotuar për ndëshkimin e autorëve. Hetimi duhet të bëhet brenda dy deri në tre javë, kanë thënë zyrtarët.

Po bëhen pyetje për organizatorët e ndeshjes. Janë shitur 42.000 bileta për një stadium 38.000 vendesh, sipas një ministri të qeverisë.

Por zemërimi i publikut është drejtuar më shumë ndaj policisë dhe përdorimit të gazit lotsjellës nga ana e saj.

FIFA thotë se hedhja e gazit për të kontrolluar turmat nuk duhet të përdoret në ndeshje, një udhëzim që shpesh injorohet në Indonezi.

Autoritetet kanë zbuluar rreth 2.000 oficerë – duke përfshirë disa njësi policore dhe ushtarë – ishin të pranishëm atë natë.

Autoritetet e policisë kombëtare kanë shkarkuar shefin lokal në Malang. Ata kanë pezulluar nëntë oficerë të tjerë dhe thanë se dhjetëra të tjerë ishin nën hetim.

Zyrtarët nuk dhanë detaje mbi rolin e tyre, por thanë se përdorimi i gazit lotsjellës po hetohet.

Në një foto të publikuar shihen lojtarët dhe zyrtarët e Arema FC që janë kthyer të hënën në stadium për të mbajtur zi për viktimat.

Në stadiumin Kanjuruhan, qindra njerëz janë rreshtuar për të vendosur lule, për të hedhur petale trëndafili dhe për të bërë nderimet e tyre.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *