Aksidentet e autobusëve kanë sjellë ngjarje tragjike ndër vite dhe i kanë marrë jetën dhjetëra personave të pafajshëm. Diku faji mund të ketë qenë i infrastrukturës së vështirë, diku i shoferit e diku tjetër i automjetit.
Në tragjeditë e mëposhtme, viktimat kanë qenë shqiptarë, përfshirë edhe aksidentin e sotëm në Bullgari ku humbën jetën 46 qytetarë ku ndër to kishte edhe shqiptarë.
Nga ky aksident mbijetuan vetëm 7 persona, ndërkohë mes viktimave ishin 12 fëmijë.
VITI 2002
10 persona humbën jetën, mes tyre dy fëmijë, si dhe 31 të tjerë mbetën të plagosur më 25 korrik të vitit 2002 në kufirin Kosovë-Mal i Zi. Në autobus udhëtonin 40 pasagjerë, ndërsa ai ishte nisur nga Ulqini për në Kosovë kur doli nga rruga.
VITI 2010
Më 22 shkurt të 2010-ës, 6 persona nga Kosova humbën jetën kur një autobus që udhëtonte nga Prishtina u përfshi në një aksident në Vjenë. Mjeti u përplas me dy kamionë në një autostradë në afërsi të kryeqytetit të Austrisë. Nga përplasja humbën jetën 6 persona, mes tyre shoferët e autobusit dhe mbetën të plagosur 37 persona.
VITI 2012
Një autobus ku udhëtonin studentë të Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ u rrëzua pranë vendit të quajtur ‘Ura e Vishës’ në afërsi të Himarës. Ngjarja ndodhi më 21 maj të viti 2012. Nga aksidenti humbën jetë 13 persona, 11 vajza, një djalë dhe shoferi i autobusit.
VITI 2021
Më 25 korrik 2021, në një aksident në Kroaci mbetën të vdekur 10 persona me origjinë nga Kosova, të cilët po udhëtonin në autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë dhe u plagosën 45 të tjerë.
/Priza.al/