-Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Shën Petërsburg në Rusi ditën e sotme, ku modelja dhe influencerja në rrjete sociale Maria Lebedeva, ka humbur jetën në spital gjatë një operacioni plastik.
31 vjeçarja, kishte kërkuar procedurën e rinoplastikës, me vlerë rreth 5000 dollarë por gjatë operacionit me qëllim për të korrektuar formën e hundës së saj, temperatura e saj u rrit si rezultat i reagimit të ashpër ndaj anestezisë.
Klinika njoftoi menjëherë ambulancën kur kuptuan problemet, por pacientja nuk arriti të mbijetonte. Ajo ishte e martuar dhe kishte një fëmijë, për të cilin po kujdeset i ati.
Drejtori i klinikës, Alexandër Efremov, tha se pacientja kishte kaluar shumë teste para procedurës, e cila ishte kryer nga mjekë me kualifikime të larta. Ai shtoi se vdekja e saj mund të ketë ardhur nga gjendje të caktuara gjenetike.
“Një hetim mjeko-ligjor është duke u kryer, por ne kemi kryer operacionin sipas të gjitha standardeve të kërkuara. Nëse ka ndodhur ndonjë shkelje do të ishte rasti i parë”, tha ai.