Një vogëlush qëlloi për vdekje nënën e tij ndërsa ajo ishte në një video konferencë në programin `Zoom` të lidhur me punën, tha policia në Florida.
Shamaya Lynn, 21 vjeç, thuhet se rrëzua nga karrigia dhe nuk u kthye më në mbledhje pasi fëmija i vogël gjeti një pistoletë të pasiguruar dhe të ngarkuar brenda apartamentit.
Sipas mediave amerikane e gjitha ndodhi krejt papritur, me 21-vjeçaren. Ishte njëri nga kolegët e saj, që njoftoi policinë për ngjarjen dhe ajo më vonë u gjet e vdekur nga një plagë me armë zjarri në kokë.
“Hetuesit përcaktuan se plagosja ishte shkaktuar nga një fëmijë, që gjeti një pistoletë të ngarkuar, që nuk ishte ruajtur mirë nga një i rritur në apartament”, bëhet e ditur në deklaratë.
“Oficerët dhe mjekët e ndihmës së shpejtë bënë çmos për t’i dhënë ndihmë zonjës Lynn, por ajo u gjet me një plagë vdekjeprurëse me armë zjarri në kokë,” tha policia.
Hetuesit deklarojnë se arma i përkiste babait të dy fëmijëve të vegjël të viktimës. Ndërkohë që hetuesit deklarojnë se të dy fëmijët e çiftit janë të sigurtë.
/Burimi: newssky.com/ përshtati në shqip Priza.al/