Rëndohet bilanci i viktimave në aksidentin e ndodhur në autostradën Fier-Vlorë. Mësohet se mes viktimave janë një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre. Familja sapo kishte ardhur nga Greqia dhe po shkonte me pushime, ndërsa çantat dhe valixhet që ndodheshin në makinën e tyre tip “Toyota” janë shpërndarë në rrugë.
Burime bëjnë me dije se ka ndërruar jetë personi i katërt që po udhëtonte me automjetin tip “Toyota”. Ndërkohë që kanë mbetur të plagosur tre personat që po udhëtonin me tip “Audi-n”.
Shtetasit që kanë humbur jetën janë E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe. Ndërkohë, në spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e përplasjes së fortë dy makinat kanë dalë nga rruga. Një prej makinave është shkatërruar tërësisht. Ndërkohë që tjetra është spostuar disa metra në anë të rrugës duke thyer edhe një shtyllë nga përplasja e fortë.