Një tjetër aksident tragjik është shënuar mbrëmjen e sotme në vend, ku një makinë ka përlasur për vdekje një 50-vjeçar.
Uniformat blu bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:58 në aksin rrugor ‘Korçë-Pogradec” në afërsi të fshatit Lumalas.
Mësohet se i aksidentuari ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin rajonal të Korçës. Ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 10.03.2023, rreth orës 18:58, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Lumalas, Korçë, një automjet ka aksidentuar, një këmbësor rreth moshës 50 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Korçës. Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga ana e Policisë po kryen veprimet hetimore me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit, si edhe identifikimin e viktimës.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme një aksident tragjik ka ndodhur në Tiranë ku humbën jetën 3 të rinj. Sakaq, rrugët e vendit tonë janë përgjakur përsëri pasi gjatë ditës së sotme kanë ndodhur disa aksidente dhe këtë pasdite është shënuar viktima e tretë.