Stresi dhe lodhja që sjell jeta moderne, kanë bërë që një grup ekspertësh në Kaliforni të ofrojnë një lloj terapie, gjatë të cilave pjesëmarrësit thjesht dëgjojnë tinguj të ndryshëm për të trajtuar stresin dhe ankthin. Kjo pritet të jetë një prirje e re në rritje e trajtimit të stresit në vitin 2023.
Terapia zanore realizohet duke krijuar një ambient me tinguj të ndryshëm qetësues. Kjo praktikë meditimi ka fituar popullaritet dhe përhapje gjithnjë e më të gjerë në industrinë e kujdesit për shëndetin mendor në Kaliforni. Ky lloj trajtimi tani ofrohet në shumë klinika dhe qendra private të shëndetit.
Sipas një studimi të Universitetit Georgetown, të kryer vitin e kaluar, meditimi ka efekt të ngjashëm me ilaçet standarde për trajtimin e ankthit. Studimi tregoi se të dyja format e trajtimit ulën me 30 për qind nivelin e ankthit tek pjesëmarrësit.
Relaksimi i mendjes dhe trupit shkakton uljen e ritmit të rrahjeve të zemrës dhe nivelin e presionit të gjakut, thotë Ken Best, drejtor i qendrës “ManyLevels Healing” në Hollivud. Ai përdor instrumente të ndryshme për krijimin e valëve zanore, përfshirë ato të indianëve të Amerikës, të përdorura për ritualet shpirtërore fisnore.
Sipas një studimi të Grupit Amerikan të Punës për Shërbimet Parandaluese, në Shtetet e Bashkuara, 40 për qind e grave dhe 25 për qind e burrave ndikohen nga problemet e ankthit në një periudhë të jetës së tyre.