Kyrebashkiaku Erion Veliaj inspektoi ditën e sotme punimet për ndërtimin e tre godinave të reja studentore në Qytetin Studenti. Ai tha se ky është kantieri i fundit që do të transformojë rrënjësisht jetesën e studentëve në kryeqytet.
“Viti 2023, përveçse është viti i Qytetit Europian të Sportit, do të njihet edhe si viti i studentëve për Tiranën dhe investimet e bëra. Investimet nisën vjet, kur mbaroi struktura pritëse në Universitetin Bujqësor të Tiranës në Kodër-Kamzë. Te Fakulteti i Inxhinierisë mbaruam godinat, bashkë me kolegët gjermanë dhe KFW-në. Po ashtu, mbaruam investimin tonë te Fakulteti i Mjekësisë. Kemi zgjidhur tre nga katër vatrat e akomodimit të studentëve, ndaj ky është viti kur plotësojmë edhe “Qytetin Studenti”. Këtu kemi tre godina të reja 7-katëshe, me ashensorë, me super dhoma, me të gjitha kushtet” u shpreh Veliaj.
Ai zbuloi planin e Bashkisë së Tiranës për ta kthyer “Qytetin Studenti” në një kampus universitar dinjitoz. Veliaj u shpreh se autobusët do të transferohen në Lundër, në Terminalin Lindor.
“Lajmi i shkëlqyer është se ‘Qyteti Studenti’, duke qenë se ka terrene të lira, nuk do të jetë vetëm një mjedis konviktesh, por do marrë jetë si çdo kampus tjetër universitar në botë, ku edhe fakultetet, edhe hapësirat pritëse, janë bashkë në të njëjtën hapësirë. Shumë shpejt do të prezantojmë konceptet e reja për Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin Ekonomik, Shkencat Sociale, pra godinat e reja që do të vendosen këtu,” tha Veliaj.