Amarildo Logu dhe Ejllo Mitaj janë arrestuar nga Policia pasi janë kapur duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm drejt Malit të Zi me qëllim kalimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Të rinjtë janë kapur në flagrancë teksa po zbrisnin nga automjeti i tyre 5 emigrantë të cilët po i transportonin në Mal të Zi kundrejt pagesës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga DVKM Shkodër dhe nga DVP Shkodër, operacioni policor i koduar “Bashkëpunëtorët”. Transportonin emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm drejt BE-së, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Strukturat e DVKM Shkodër dhe ato të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, të mbështetura nga inteligjenca informative, për një rast të transportimit të shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bashkëpunëtorët”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:
-A. L., 24 vjeç dhe E. M., 23 vjeç, të dy banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe.
Në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, këta 2 shtetas u kapën në flagrancë teksa zbritnin nga automjeti me drejtues 24-vjeçarin, 5 emigrantë të cilët po transportoheshin drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.