Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Lezhë, ka gjobitur katër persona të cilët transportonin lëndë drusore pa dokumente shoqëruese. Në një njoftim për shtyp IKMT tha se bllokoi mjetet që transportonin dru gjatë një kontrolli që filloi mbrëmjen e të enjtes në rrugën Rrëshen-Milot.
Mësohet se aksioni ishte pjesë e inspektimeve kundër krimit mjedisorë , ku dhe ka gjobitur me nga 500 mijë lek të katër personat, ndërsa lënda që iu kap atyre u sekuestrua dhe u magazinua pranë Bashkisë Lezhë.
“Nga ky operacion u kapën në kushtet e flagrancës 4 subjekte duke transportuar me automjete lëndë drusore pa dokumentacion. Konkretisht shtetasi L.P banues në Pukë , M.G banues në Kurbin , P.R banues në Mirditë dhe P.M banues në Kurbin”, thuhet në njoftim.
Aksioni u drejtua nga drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë Flori Gjini, ndërsa bëhet me dije se operacione të tillë do të zhvillohen edhe në ditët në vijim.