Ardian Kola ka rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës pasi u kap duke transportuar emigrant të paligjshëm.
Burime për mediat bëjnë me dije se 38-vjeçari ndihmonte shtetasit e huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen e personave, të cilët janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, Tiranë, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ky shtetas më datë 19.06.2022, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin dyshohet se po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.