Florjan Zekaj ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi është kapur në flagrancë duke bërë transportimin e mallrave kontrabandë që kishin hyrë në vendin tonë pa u deklaruar në doganë.
32 vjeçari, banues në Tiranë është kapur me fugonin e tij tip “Benz” teksa shpërndante mallrat tek klientët në Durrës.
Njoftimi i Plotë:
Durrës
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Brands”.
Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës.
Goditet një rast i tentativës për tregtim të mallrave të futura kontrabandë në vendin tonë, arrestohet në flagrancë transportuesi i tyre.
Sekuestrohen artikuj të ndryshëm, të dyshuar të kontrabanduar.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë futur kontrabandë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Brands”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-Florjan Zekaj, 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”, “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në furgonin tip “Benz”, që drejtohej nga 32-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, artikuj të markave të ndryshme (veshje dhe këpucë), pjesë të reja makinash dhe elektroshtëpiake, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar në autoritetet doganore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.