Biznesi i diellit po bëhet gjithmonë e më atraktiv në kushtet kur kriza e energjisë cilësohet se do të vijojë të mbetet problem kyç i ekonomisë globale edhe në vazhdim.
Çmimet e larta të energjisë e kanë bërë gjithmonë e më atraktiv investimin në këtë sektor dhe sidomos kërkesat për impiante fotovolatike janë në rritje të vazhdueshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Së fundmi pranë këtij institucioni janë dorëzuar tre aplikime për një kapacitet të instaluar prej 151 MW.
Të marra më vete këto projekte kanë kapacitet të ndryshëm dhe shtrihen në rajone të ndryshme të vendit. Kështu aplikimi i parë është bërë nga bashkimi i përkohshëm i Shoqërive “ETS” SH.P.K., “ES 2019” SH.P.K. dhe “IDEAS SOLUTIONS ENERGY ALBANIA” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 8 MW, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Sheq Marinas, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier.
Aplikimi i dytë është bërë nga shoqëria “FAETHON” SH.P.K. e cila ka shprehur interesin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet 93 MW, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Zonën Kadastrale Nr. 2444, Bashkia Libohovë, Rrethi Gjirokastër.
Aplikimi i tretë ka ardhur nga shoqëria “SUNRAY ENERGY” SH.P.K. për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 50 MW me vendndodhje në Zonën Kadastrale Nr. 3038, Fshati Povelçë, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier.
Interesi për energjinë fotovoltaike është rritur në mënyrë të shpejtë nga viti 2017, kur u miratua ligji për burimet e rinovueshme por kriza e energjisë i ka dhënë ritëm të ri projekteve që paraqiten pranë institucioneve.
Ministria aktualisht ka në rishikim ligjin e burimeve të rinovueshme dhe ka njoftuar duke parashikuar gjithashtu lehtësime për autoprodhuesit, me një bilanc tashmë vjetor që pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2023./MONITOR