Dhjetëra qytetarë në Kukës kanë zhvilluar një protestë në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë, ku kërkojnë heqjen e pengesave për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në drejtim të Kosovës. Kjo pasi me hyrjen në fuqi të masave të reja anti-COVID, në Kosovë, kërkohet që qytetarët të kenë kryer tre doza vaksinimi, ose nëse kanë bërë vetëm dy doza duhet të paraqesin edhe një tampon PCR të 48 orëve të fundit. Sa i takon testit PCR, ato thonë se ai kushton 30 euro dhe ka një kosto për lëvizjen e tyre.
Qytetarët që po protestojnë në doganën e Morinës janë përplasur me policinë, pasi kanë tentuar që të ndalojnë kalimin e shqiptarëve nga Kosova për në Shqipëri. Për të qetësuar situatën ka ndërhyrë policia, ndërsa protestuesit kanë debatuar edhe me efektivët.
Qytetarët kërkojnë heqjen e pengesave, pasi ato shprehen se janë në punë dhe nuk u duket e drejtë.
‘Qeveria e Kosovës të heqë të paktën vaksinën e 3-të dhe tamponin. Ne kemi njerëz tanë atje. Në Kombin tonë na dalin pengesa, ne kemi shumë pengesa. OBSH thotë të lehtësohen lëvizjet e lira e mundësisht të hiqen krejt. Unë e kam gjithë farefisin në Kosovë, çdo kuksianë ka njerëz të vet në Kosovë, boll 40 vjet nuk u pamë edhe sot të mos shkojmë në Kosovë.’- tha një qytetar.
‘Për një thes misër që bën 10 euro, duhet më pagujt 30 euro test PCR.’– u shpreh një qytetar.
Një vendim i tillë nuk është mirëpritur nga qytetarët e Shqipërisë, të cilët për arsye të ndryshme u duhet të udhëtojnë në Kosovë për shkaqe familjare, shëndetësore, turistike, biznesore e studimore. Disa prej tyre madje kanë tentuar që të bllokonë futjen e shqitarëve nga Kosova në vendin tonë, por janë larguar nga policia.
Kujtojmë se me hyrjen në fuqi të vendimit, dhjetëra qytetarë të Shqipërisë janë kthyer nga autoritetet doganore të Kosovës në Vermicë. Mësohet se një vendim i tillë pritet të rishikohet sot nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës. Për shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak, për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Kosovës.
Përmes një mbledhjeje online, për shkak të rritjes së infektimeve me COVID, qeveria e Kosovës ka vendosur që ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Më herët ora policore niste që në 00:00. Nuk do të lejohen grumbullimet mbi 30 persona në ambientet e brendshme, ndërsa klubet e natës do të vijojnë të jenë të mbyllura. Sakaq, ndalohet organizmi i festave, dasmave, si edhe pritja në ceremonitë mortore. Baret dhe restorantet do të lejohet të punojnë deri më 21:00, ndërsa muzika duhet të ndalohet që 20:30, nga 21:30 që ka qenë deri më tani.
/Priza.al/