Shkak i vdekjes së tre anëtarëve të një familje nga Gjilani, është helmimi. Ky është përfundimi pas ekspertimit mjeko-ligjor në Tiranë. Nëna, djali dhe nusja, humbën jetën pas konsumimit të kërpudhave. Burime nga policia Durrës bëjnë me dije se mjekët ligjorë që kanë kryer ekspertizën, kanë dalë në përfundim se vdekja e Elfete, Afrim e Ferzinaze Halitit është shkaktuar nga helmi i kërpudhave.
Këto burime pohuan se njëkohësisht po kryhen edhe analizat e kërpudhave, që janë gjetur të gatuara në shtëpi. Tre anëtarët e familjes shfaqën shenja helmimi dhe u drejtuan për të marrë shërbim mjekësor në qendrën shëndetësore të Manzës, ndërsa më pas u dërguan me urgjencë në QSUT.
Por pavarësisht ndihmës mjekësore, tre anëtarët e kësaj familje nuk mundën të jetonin. E para që ndërroi jetë ishte Elfete, nëna e Afrimit dhe më pas ky i fundit. E fundit që ndërroi jetë ishte Ferzinaze Haliti.
Policia ka proceduar penalisht dy mjekët e qendrës shëndetësore në Manzë, mjekun Shyqyr Beqajn 54 vjeç dhe Jonuz Karajn, 60 vjeç, për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.
Familja Haliti, gjyshja Elfete 78 vjeçe, djali i saj Afrimi 56 vjeç dhe gruaja e tij, Ferzinaze, 57 vjeçe, janë përcjellë dje për në banesën e fundit në Gjilan.