Trefishohen në 5 muaj kalimet e parregullta të emigrantëve për në BE nëpërmjet Ballkanit Perëndimor

Rruga e Ballkanit Perëndimor po shërben si një nga rrugëkalimet më të rëndësishme të emigrantëve të parregullt drejt Bashkimit Evropian.

Sipas Raportit të fundit të Agjencisë së Rojës Kufitare dhe Bregdetare Europiane, FRONTEX, në pesë muajt e parë të këtij viti u regjistruan 40,675 kalime të paligjshme të kufirit nga rruga e Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Evropian, gati tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti u shënuan sipas FRONTEX-it rreth 12 mijë kalime të migrantëve të paligjshëm përmes Rrugës së Ballkanit Perëndimor.

Sipas agjensisë FRONTEX, Rruga e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet edhe Shqipëria përbën gati gjysmën e numrit të përgjithshëm të rreth 87 mijë kalimeve të paligjshme të kufijve të BE-së nga janari deri në maj të këtij viti.

Sipas FRONTEX-it, vendet kryesore të origjinës së emigrantëve të parregullt janë Siria, Afganistani dhe Turqia.

FRONTEX tha se shumica e emigrantëve të parregullt kishin qenë në Ballkanin Perëndimor për disa kohë përpara se të kërkonin të hynin në vendet e Bashkimit Evropian.

Raporti i FRONTEX-it flet edhe për një rritje të kalimeve në të dy anët e Kanalit të La Manshit me 122% për periudhën janar-maj të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Sipas FRONTEX-it, bazuar në të dhënat historike, periudha e pikut në këtë itinerar zgjat nga qershori deri në nëntor, dhe në vitin 2022, mbi 46 kombësi të ndryshme janë regjistruar në kalimet e paligjshme në Kanalin e La Manshit ku vihet re një rritje e theksuar e shtetasve shqiptarë.

Prej tre vitesh, Roja Europiane e Kufijve FRONTEX është përfshirë në patrullimin e përbashkët të kufirit shqiptaro-grek dhe ka vendosur gjithashtu një avion për të kontrolluar hapësirën detare të detit Adriatik dhe detit Jon.

Sipas agjencisë, 132 oficerë të trupave FRONTEX nga vendet europiane ofrojnë njohuritë dhe ekspertizën e tyre për të ndihmuar autoritetet shqiptare në kryerjen e patrullimeve dhe mbikëqyrjes kufitare me përdorimin e 21 makinave patrulluese.

FRONTEX punon në kufi me policinë shqiptare si në mbledhjen e informacionit nga intervistat me emigrantët, përgatitjen e raporteve të situatës, kontrollimin e automjeteve që kalojnë kufijtë shqiptarë, si dhe shqyrtimin e dokumenteve dhe zbulimin e rasteve të krimit ndërkufitar./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *