Procesi elektoral sapo ka përfunduar fazën e tij të partë, atë të votimit, por drejtuesit e partive politike kanë nisur të bëjnë deklaratat e para për fitore.
Megjithatë, Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nuk është i këtij mendimi dhe ka dhënë një tjetër mesazh për krerët e politikës shqiptare, teksa pritet të nisë procesi i numërimit të votave.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Celibashi iu kërkon subjekteve politike që ta përcjellin me qetësi procesin e numërimit të votave.
Më tej, kreu i KQZ iu kërkon lidershipëve që të tregojnë vetëpërmbajtje, në mënyrë që komisionerët dhe numëruesit të kenë klimën e duhur për të zhvilluar procesin.
“Ju bën thirrje subjekteve zgjedhore, që procesin në vijim ta përcjellin me qetësi pasi askush nuk e di se kush i ka fituar këto zgjedhje. Duhet të presim që të numërohen fletët e votimit, për të kuptuar se kush është fituesi i zgjedhjeve të datës #25prill2021.
Çdo deklarim pa nisur procesi i numërimit të fletëve të votimit nuk do t’i shërbente qetësisë së nevojshme që duhet të shoqërojë procesin e numërimit të votave. Lidershipi politik duhet të tregojë vetëpërmbajtje në mënyrë që komisionerët dhe numëruesit të kenë klimën e duhur për të zhvilluar një proces numërimi të sigurtë dhe transparent”,– thekson kreu i KQZ.
/Priza.al/