Katër persona janë arrestuar në Tiranë, pasi janë kapur me mallra kontrabandë në autobus.
Mësohet se shtetasit me iniciale Y. F., 18 vjeç, Sh. S., 31 vjeç, B. K., 53 vjeç dhe E. S., 32 vjeç, kanë futur mallra kontrabandë pa pullë fiskale.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Free road 2”.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.
Sekuestrohen mallra të ndryshëm të dyshuar të kontrabanduar.
Vihen në pranga 4 shtetas që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Free road 2”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Y. F., 18 vjeç, banues në Kosovë, faturino dhe pronari i një linje transporti;
– Sh. S., 31 vjeç, banues në Kosovë, shofer i një linje transporti;
– B. K., 53 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– E. S., 32 vjeç, banues në Elbasan, administrator i një subjekti tregtar.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, kanë lokalizuar dhe ndaluar autobusin me drejtues shtetasin Sh. S. dhe faturino shtetasin Y. F. Gjatë kontrollit në autobus u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, pa pullë fiskale, të cilat do t’i merrnin shtetasit B. K. dhe E. S. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.