Policia e Durrësit ka arrestuar 44-vjeçarin me inicialet E.Xh. pasi tregtonte cigare të kontrabanduara, në dyqanin e tij. Ndërsa një 35-vjeçar është vënë nën hetim pasi iu sekuestruan bë biznes paketa me cigare, pako me fishekzjarre dhe parfume, të dyshuara të kontrabanduara.
Mallrat janë sekuestruar teksa shtetasit akuzohen për veprat penale “Kontrabanda për mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shitjet”, sekuestrohen steka me cigare, lëndë piroteknike dhe mallra të tjera të kontrabanduara.
Tregtonte në dyqanin e tij, steka me cigare të kontrabanduara, kapet si rezultat i kontrolleve dhe vihet në pranga, 44-vjeçari.
Në hetim, pronari i një dyqani tjetër, pasi dhe ai u kap duke tregtuar mallra të kontrabanduara.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës vijojnë kontrollet në subjekte të ndryshme tregtare në qark, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomike. Si rezultat, u konstatuan 2 dyqane të tjera, pronarët e të cilave tregtonin mallra të ndryshme të kontrabanduara.
-U arrestua në flagrancë shtetasi E. Xh., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në dyqanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra steka me cigare të dyshuara të kontrabanduara;
-U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në dyqanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan paketa me cigare, pako me fishekzjarre, cigare elektronike dhe parfume, mallra këto të dyshuara të kontrabanduara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Kontrabanda për mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”.