Tregu e rriti pagën minimale para qeverisë, por sërish mbetemi të fundit në Europë

Në 3-mujorin e tretë 2022, vetëm 15% e punonjësve me pagë paguheshin deri në kufirin minimal nga më shumë se 33% në të njëjtën periudhë në vitin 2021. Në totalin e të punësuarve, pjesa e punonjësve me pagë minimale është reduktuar ndjeshëm.

Florian Zekja, përfaqësues i shoqatës “ProEksport”, me aktivitet në industrinë e prodhimit të veshjeve, tha se, aktualisht pjesa më e madhe e punonjësve në fasoneri kanë paga bruto më të mëdha se 40 mijë lekë.

Vitin e kaluar, pas pandemisë, fabrikat u përballën me një kërkesë të lartë për punë, në një kohë që punonjësit po reduktoheshin nga emigrimi dhe konkurrenca e brendshme.

Vitin e kaluar, fabrikat rritën pagat me ritme dyshifrore, duke e çuar pagën mesatare neto për shumicën e punonjësve në 40 mijë lekë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, tha se tregu po kërkon rritje më të madhe të pagës minimale se vendimi i fundit i qeverisë.

Sipas tij, Shqipëria duhet të ketë pagë minimale 500 euro. Kjo pagë, sipas tij, do të sjellë rritje të konsumit dhe do të nxisë prodhimin drejt nivelit më të lartë të tregut. Z. Jaka tha se rritja e pagave në këtë nivel është domosdoshmëri për të ulur hemorragjinë e emigrimit të të rinjve.

Sektori i fasonit, i cili e mbështet aktivitetin në krahun e lirë të punës, ka pasur 30 vite për të kaluar në ciklin e mbyllur dhe nuk e ka bërë, tha Jaka. Sipas tij, ka ardhur koha për paga më të larta dhe qeveria të orientojë modelin në një vlerë më të lartë të tregut, për të mos mbetur peng i një strukture prodhimi bazuar në fason.

Paga minimale bruto 40,000 lekë, kostot e reja të sigurimeve për biznesin dhe punonjësit.

Rritja me 6 mijë lekë, ose rreth 18% e pagës minimale, do të shtojë kostot e biznesit për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Aktualisht, për një pagë minimale 34 mijë lekë, kostot për kontributet e sigurimeve shoqërore janë 8300 lekë dhe për sigurimet shëndetësore 1156 lekë, gjithsej 9486 lekë. Nga këto, 5678 lekë i paguan punëmarrësi dhe 3808 lekë, punëdhënësi.

Me rritjen e kufirit për një pagë 40 mijë lekë, pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arrin në 11,160 lekë, me rritje 18% në krahasim me pagën 34 mijë lekë. Nga kjo shumë, kostot për punëdhënësin janë 6680 lekë dhe për punëmarrësit, 4,480 lekë.

Disa sektorë në qarqet e vendit, por edhe në Tiranë, kanë krijuar një skemë informaliteti, me të cilën punonjësit marrin pagën në bankë dhe e kthejnë një pjesë mbrapsht sipas një marrëveshje me punëdhënësit. Punëdhënësi, në këtë rast, paguan sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me paga minimale, por ndërkohë merr mbrapsht një pjesë të pagesës nga punonjësit.

Paga minimale neto, pas 1 prillit 2023, arrin në 35,520 lekë, nga 30,192 lekë që është aktualisht me rritje 18%.

Sipas ligjeve në fuqi, kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore është 24.5% të pagës bruto, ku pjesa e punëdhënësit do të jetë 15.0% dhe pjesa e të punësuarit, 9.5%, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale.

Për sigurimin e kujdesit shëndetësor, kontributi është 3.4% të pagës bruto, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale.

Në vendimin e fundit për rritjen e pagës minimale, qeveria ka krijuar një mekanizëm që do të subvencionojë kostot shtesë të sigurimeve shoqërore në disa sektorë që varen nga pagat e ulëta.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, tha se për sektorin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit dhe sektorin e industrisë përpunuese, do të subvencionohet elementi i rritjes së kostos shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo punonjës me pagë minimale, që janë në listëpagesën e muajit dhjetor.

“Kjo ndihmë vjen në mbështetje të atyre bizneseve që kanë një numër të lartë punonjësish. Numri i përafërt që përfitojnë nga kjo masë është rreth 30 mijë persona. Kjo do të bëhet në mënyrë që të gjithë subjektet të mbështesin koston shtesë gjatë gjithë vitit 2023.

Është një politikë që do të ndiqet në vijimësi nga qeveria shqiptare edhe për vitet në vijim, për të gjitha rritjet e pagës minimale, të cilat do të jenë më të larta se sa rritjet normale të zbatuara vitet e kaluara”, tha Ibrahimaj.

Shqipëria me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas rritjes

Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagës minimale në Europë dhe rajon. Sipas përllogaritjeve të Eurostat, në janar 2023, paga minimale në Shqipëri është 297 euro në muaj, niveli më i ulët në Europë, madje me një diferencë të dukshme edhe me rajonin.

Me vendimin e fundit, paga minimale arrin në 341 euro, duke mbetur sërish niveli më i ulët në Europë, madje diferenca mund të thellohet pasi shtetet europiane janë duke rritur pagat me ritme shumë më të larta sa Shqipëria.

P.sh., nga viti 2019 në fillim të 2023, paga minimale në Europë u rrit mesatarisht me 146 euro, ndërsa në Shqipëri me vetëm 85 euro. Për shkak të bazës së ulët, rritja në përndiqje në Shqipëri është më e lartë, por në vlerë, rritja është më e ulëta në Europë.

Vitin e kaluar, pagat minimale shënuan rritje kudo në Europë, si rrjedhojë e masave që morën qeveritë dhe kompanitë për të mbrojtur punonjësit nga inflacioni lartë.

Sipas Eurostat, më 1 janar të këtij viti, 22 nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së kishin një pagë minimale kombëtare, duke përfshirë Qipron.

Vendet e BE-së pa pagë minimale kombëtare ishin: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë shumë në shtetet anëtare, nga 399 euro në Bullgari në 2 387 euro në Luksemburg.

Ndër shtatë vendet kandidate dhe kandidate potenciale, pesë kishin një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Turqia) ndërsa nuk ka Bosnjë-Hercegovina (nuk ka të dhëna për Kosovën).

Bazuar në nivelin e pagave të tyre minimale mujore bruto kombëtare të zbatueshme më 1 janar 2023, të shprehura në euro, Shtetet Anëtare të BE-së klasifikohen në tre grupe të ndryshme;

-Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare mbi 1 500 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Luksemburgu, Gjermania, Belgjika, Holanda, Irlanda dhe Franca. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1 709 euro në Francë në 2 387 euro në Luksemburg.

-Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare më të lartë se 1 000 euro por më e ulët se 1 500 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Sllovenia dhe Spanja. Pagat e tyre minimale kombëtare ishin 1 167 euro në Spanjë dhe 1 203 euro në Slloveni;

– Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare nën 1000 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Qiproja, Portugalia, Malta, Lituania, Greqia, Polonia, Estonia, Çekia, Sllovakia, Kroacia, Letonia, Rumania, Hungaria dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 399 euro në Bullgari në 940 euro në Qipro.

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare i përkasin grupit 3, me nivele të pagave minimale që variojnë nga 298 euro në Shqipëri në 532 euro në Mal të Zi, raporton Eurostat.

Diferenca e pagës minimale me rajonin u thellua

Aktualisht paga minimale është 17% më e ulët sesa ajo e Maqedonisë së Veriut, që është e dyta në Europë për nivelin më të ulët, me të dhënat për këtë shtet që janë të disponueshme për fundin e vitit 2021.

Paga minimale në Shqipëri është tashmë 45% më e ulët sesa në Serbi, ku asnjë punonjës nuk merr më pak se 460 euro në 2023. Në Mal të Zi, paga minimale është 533 euro. Në krahasim me fillimin e vitit 2018, më i hershmi që Eurostat raporton të dhënat, diferenca mes pagës minimale të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, që e zbatojnë këtë praktikë, është thelluar ndjeshëm.

Në 6-mujorin e parë 2018, paga minimale në Shqipëri ishte 100 euro më e ulët se në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Ndërsa në fillim të vitit 2023, paga minimale në Serbi është 192 euro më e lartë sesa në Shqipëri. Një punonjës në Mal të Zi merr minimalisht 234 euro më shumë se një i punësuar me pagë minimale në Shqipëri.

Mali i Zi e ka rritur ndjeshëm pagën minimale dy vitet e fundit, nga 331 euro në fund të vitit 2021 në 532 euro aktualisht. Edhe në Serbi, paga minimale është 460 euro, nga 366 euro në fund të 2021.

Të njëjtat diferenca janë edhe për pagat mesatare në rajon, sipas një vëzhgimi të mëparshëm të “Monitor”, ku mesatarisht punonjësit shqiptarë paguhen 40% më pak se në vendet e tjera të rajonit.

Paga minimale, mjeti për frenim të abuzimit me punonjësit

Kombet e Bashkuara e përkufizojnë pagën minimale si kufiri që një punëdhënës duhet t’i paguajë punëmarrësit, i cili nuk mund të reduktohet me asnjë marrëveshje.

Paga minimale ka natyrë detyruese dhe përcaktohet zakonisht me vendim të një autoriteti kompetent, bordet e përbashkëta ose gjykatat. Qëllimi është mbrojë punonjësit nga pagat shumë të ulëta në rastet kur kërkesa për punë është më e madhe se oferta.

Faktet historike tregojnë se aplikimi i kufijve mbi pagat nisi që në vitin 1349 me Urdhëresën e Punëtorëve, një dekret i mbretit Eduard III që përcaktonte kufijtë e pagave për punëtorët në Anglinë mesjetare. Mbreti ishte një pronar i madh tokash dhe përdorte bujkrobërit për të punuar tokën.

Në vjeshtën e vitit 1348, Murtaja e Zezë shkatërroi popullsinë e Anglisë. Mungesa e punëtorëve shkaktoi rritje të pagave dhe inkurajoi mbretin Eduard III të vendoste një tavan pagash. Fillimisht ligjet që rregulluan pagat vendosën kufij për tavanet, por më vonë ato u përdorën për kufijtë e pagës së jetesës.

Nga fillimi i shekullit XIX, Statutet e Punëtorëve u shfuqizuan pasi Mbretëria e Bashkuar gjithnjë e më kapitaliste përqafoi politikat cilat nuk favorizonin rregulloret e pagave (qofshin kufijtë e sipërm apo të poshtëm). Vetëm në vitet 1890 u panë përpjekjet e para legjislative moderne për të rregulluar pagat minimale në Zelandën e Re dhe Australi.

Në Shqipëri, paga minimale, si instrument mbrojtje për punonjësit, nisi pas vitit 1990, ndërsa nga viti 1945 deri në vitin 1990, ofruesi i vetëm i pagave ishte shteti./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *