Tregu i komisioneve në sigurime preku vlerën e rreth 4.87 miliardë lekëve ose rreth 40 milionë eurove vitin e kaluar.
Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera e shpenzimeve të marrjes në sigurim, që konsistojnë kryesisht në komisione të paguara për agjentët, vitin e kaluar shënoi një rritje modest me 0.3% krahasuar me një vit më parë.
Megjithëse primet e shkruara bruto vitin e kaluar pësuan një rënie me 5.7%, të shkaktuar kryesisht nga efektet e pandemisë, komisionet e agjentëve sërish shënuan rritje, megjithëse në një masë shumë të vogël.
Komisionet për agjentët janë një nga mekanizmat kryesorë të konkurrencës mes kompanive të sigurimeve në Shqipëri. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka vlerësuar se nivelet e komisioneve në sigurime në tregun shqiptar janë shumë të larta. Për këtë arsye, në ligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është vendosur që këto komisione të kufizohen, të paktën për këto produkte, që zënë edhe peshën kryesore në strukturën e primeve të tregut shqiptar të sigurimeve. Fillimisht, AMF kishte propozuar që niveli i komisionit të rregullohej me ligj, në masën 12%. Por, në variantin final të ligjit u vendos që kjo çështje të rregullohet me akte nënligjore nga AMF.
Në fillim të këtij muaji, AMF nxori për konsultim publike dhe rregulloren e posaçme “Për komisionet e ndërmjetësimit”. Sipas projektrregullores, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë në total komisione ndërmjetësimi, për çdo policë të shitur, më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto, nga 1 janari i vitit 2022. Ndërkohë, duke filluar nga 1 janari 2023, komisioni tavan do të ulet në 18% të primit të shkruar bruto. Vendosja e niveleve tavan të komisioneve synon të rrisë eficiencën e shpenzimeve të kompanive të sigurimit të jo-jetës. Vitin e kaluar, shpenzimet e marrjes në sigurim rezultuan madje edhe më të larta se dëmet neto të paguara nga siguruesit (përjashtuar dëmet e paguar nga risiguruesit).
Nivelet e propozuara të komisioneve maksimale janë ndjeshëm më të ulët se ato ekzistuese. Mbështetur në të dhënat e Raportit të Mbikëqyrjes së AMF-së, për vitin e kaluar raporti i shpenzimeve të marrjes në sigurim për produktin MTPL (sigurimi i detyrueshëm i mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta) ishte mesatarisht 35.2% në nivel tregu.
Në pjesën dërrmuese, këto shpenzime janë komisione që shkojnë për agjentët. Niveli i lartë i komisionit iu krijon agjentëve hapësira për të negociuar çmimin me blerësin e policës së sigurimit. Kur agjentët ofrojnë çmim më të ulët se ai i shkruar në policën e sigurimit, diferenca mes çmimit të shkruar në policë dhe atij real të paguar nga i siguruari zbritet nga komisioni që agjenti përfiton prej kompanisë së sigurimit.
/Burimi: Monitor/