Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca prezantuan tregun e ri agroushqimor në Farkë, ‘AgroPark Tirana’, i ndërtuar posaçërisht për fermerët, të cilët mund të shesin produktet e tyre me zero taksa, ndërsa konsumatorët do t’i blejnë më lirë prodhimet bio, të kontrolluara dhe të certifikuara sipas standardeve europiane.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh krenar për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm, që u vjen në ndihmë fermerëve dhe zonave rurale.
“Këtu vij me kokën lart! Ky ishte premtimi i fundit i pambajtur dhe më vjen mirë që pranvera na gjen me një projekt, ndoshta më i miri dhe më i arrituri në rajonin tonë. Ky vend ka edhe një vendosje gjeografike fantastike. Jemi m’u në buzë të autostradës, Unazës së Madhe të Tiranës, mes Lundrës dhe Farkës, dhe për të gjithë ata që kundërshtonin Unazën, që protestonin tek Astiri, sot kërkojnë vota, por duhet t’i thonë publikut se çfarë ndodhi me vitet që humbëm kohë kot. Kohën s’e kthen dot askush dhe kur ne bllokohemi me vite të tëra, ndërkohë që vetëm hapja e këtij segmenti të Unazës ka sjellë një vlerë të jashtëzakonshme, dhe ja ku jemi sot, buzë Erzenit, kemi një hapësirë të jashtëzakonshme bujqësore, kemi qendra tregtare, kemi hapësira rezidenciale, po bëjmë një park të ri në Liqenin e Farkës dhe ditët më të mira për fshatin sapo kanë filluar”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku sqaroi se tregu i ri do u kursejë tregtarëve 70% të kostove, që më parë paguanin te privati, e po ashtu do u ofrojë qytetarëve produkte bio më të lira.
“Në tregun privat ti paguaje pa e ditur se çfarë do të shisje, pa e ditur se sa është bursa në treg, sepse kishte një çmim fiks të asaj që quhet ‘matje e kokës me spango’. Në këtë treg kemi pagesa deri në 70% më të ulëta, jo për të nxjerrë fitim, por të sigurohemi që këtu mbahet pastër, që ka roje, ndriçim, higjienë, dhe ka një lloj rendi vetëm për të mbuluar kostot, duke i kursyer secilit 70% të pagesave që shkonin për fitimin e privatit. T’i japësh fermerit më shumë para nga produkti i tij, t’i kursesh tregtarit më shumë nga këto vara-vingot e harxhim nafte, duke ardhur te rruga dytësore e autostradës Tiranë-Durrës, dhe ta përkthesh të gjithë këtë kursim në çmime më të ulëta për produktet bujqësore të prodhuara në Shqipëri dhe në Tiranë, me më pak kosto, është një sukses i jashtëzakonshëm”, nënvizoi ai.