Në raportimin e së enjtes, Ministria e Bujqësisë bëri publike shifrën e pulave të ngordhura në tri qarqet e prekura nga gripi, duke e çuar numrin në 832 mijë.
Kjo situatë ka shkaktuar një gjendje paniku tek konsumatorët, të cilët kanë ndaluar blerjen e mishit dhe vezëve.
Lidhur me sigurinë ushqimore, nr.2 i Ministrisë së Bujqësisë sqaroi për të disatën herë konsumatorët se nuk përballen me kurrfarë rreziku nëse gatuajnë mirë pulat dhe vezët.
“Më lejoni të shfrytëzoj ekranet tuaja dhe këtë komunikim për t’iu drejtuar konsumatorëve se nuk ka asnjë rrezik si për mishin, ashtu dhe për vezët, të cilat i blini nga operatorët e licencuar dhe produktet janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumimi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperaturë më të larta se 70 gradë celsius, siç është dhe procedura normale e gatimit”.
Autoritetet kanë sqaruar vazhdimisht që virusi nuk mund të transmetohet nga kafshët tek njerëzit, por qytetarët mbeten mosbesues.
Qytetarët e Kukësit shprehen se kanë ndaluar konsuminin e tyre, vetëm në rastet kur pulat rriten nga vetë ata.
Deri më tani figurojnë tri vatra të prekura nga gripi i shpendëve, konkretisht në Durrës, Dibër e Korçë.