“Trishtimi që mbjell shpopullimi!”, deputeti i PD: Mbyllja e jetës shoqërore dhe ekonomike kërkon vëmendjen e qeverisë për ndryshim

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me shpopullimin e vendit.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Sula ka shpërndarë një video në Belsh, ku shihen rrugët bosh, ndërkohë që kohë më parë qyteti gumëzhinte nga banorët e turistët.

Më tej deputeti tha se këto nuk janë parulla për luftë politike, por është një realitet i hidhur që kërkon vëmendjen e të gjithë qeverisë për të ndryshuar situatën.

“Trishtimi që mbjell shpopullimi! Video që shihni të postuar më poshtë, është xhiruar mbrëmjen e së shtunës në orën 21:20 minuta. E filmova këtë moment sepse më krijoi një ndjenjë keqardhje shumë të madhe. Më përpara, në fundjavë Belshi gumëzhinte nga banorët e qytezës por edhe nga ata që vinin nga fshatrat por edhe nga turistët. Por mbrëmë, ora 21:20 ishte njësoj sikur ora 2:00 e mesnatës. Baret, restorantet, maketet, farmacitë ishin mbyllur të gjitha. Në Belsh vetëm disa dritare shtëpish kishin drita, të tjerat ishin boshë.

Shpesh herë kam ngritur shqetësimin e shpopullimit të vendit. Sot po jua tregoj në një mënyrë që e kuptoni të gjithë besoj. Në Belsh nuk ka më të rinj dhe burra e gra të moshës së mesme. Si në çdo qytet të vendit, në Belsh kanë mbetur vetëm disa të rinj që numërohen me gishtat e dorës dhe disa burra e gra në prag të pensionit. Veç trishtimit që të krijon psikologjikisht kur sheh këtë video në të cilën që në orën 21:20 mbyllet jeta, ka edhe pasoja të tjera katastrofike.

Mbyllja e gjithë jetës shoqërore dhe ekonomike në një orar të hershëm do të thotë që njerëzit nuk kanë mundësi të pinë një kafe, të blejnë një gjë më shumë në market, të dalin në një darkë. Të gjitha këto ndikojnë në ekonominë e vendit që ka një efekt zinxhir e përfundon deri në pamundësinë e gjenerimit të parave për pensionistët. Këto nuk janë parrulla për luftë politike, por është një realitet i hidhur që kërkon vëmendjen e të gjithë qeverisë për të ndryshuar situatën”, shkruan Sula.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *