Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi ka dhënë detaje nga shpërthimi me tritol i makinës së prokurorit, Arjan Muça.
Ai ka bërë me dije se fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Hetimet vijojnë, teksa mendohet se ky mund të jetë një mesazh për prokurorin, pasi mendohet se ngjarja ka të bëjë me profesionin e tij.
“Aktualisht po kryhen veprimet, mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. Makina përdoret nga ky prokuror. Prej një periudhe 2 vjeçare çdo natë parkohet pranë kësaj qendre. Janë marrë masa nga policia për dokumentimin e kësaj vepre penale. S’ka dëmtime në njerëz dhe as të mjeteve të tjera. S’ka shpërthim të makinës dhe as dëmtime në automjete të tjera. Është një shpërthim që ka ndodhur vetëm në pjesën e përparme të makinës. S’ka pasur asnjë person aty afër”, tha ai.
Makinës së prokurorit Arjan Muça iu vu tritol mbrëmjen e kësaj të enjteje, e cila ishte e parkuar në zonën e Komunës së Parisit.