“Jam ende gjallë. Pavarësisht se disa më donin të vdekur”! Kështu ka deklaruar Papa Francesku, i cili ka befasuar mediat me deklaratën e tij gjatë takimit me disa priftërinj jezuitë në Sllovaki, të cilën e vizitoi së fundi.
“I di dhe kush janë ata persona; mendonin se kushtet e mia shëndetësore ishin më të rënda nga sa u ishte raportuar dhe po uronin vdekjen time. Madje po përgatisnin dhe Konklavën. Por falë Zotit jam mirë.
Ajo ndërhyrje kirurgjikale nuk ishte një vendim që doja ta merrja, një infermiere më bindi. Ndonjëherë infermierët e kuptojnë më mirë situatën sesa mjekët, sepse kanë kontaktet direkte me pacientët”,- është shprehur Ati i Shenjtë.
Në korrik, kreu i Kishës Katolike, iu nënshtrua operacionit për një problem në zorrën e trashë. Këtë muaj sakaq, Papa vizitoi Sllovakinë e Hungarinë, të parat lëvizje të tij jashtë kufijve, që prej ndërhyrjes kirurgjikale. Gjatë këtyre ndalesave, ai e cilësoi pandeminë si “testin më të madh të kohës sonë”.
Revista jezuite, “La Civilta Cattolica” raportoi këtë të martë komentet e bëra nga Papa, gjatë takimit me Jezuitët në Sllovaki
Papa i zgjedhur në vitin 2013, kaloi 11 ditë në spital pas një ndërhyrje kirurgjikale për korrigjimin e ngushtimit të kolon-it, në 4 korrik të këtij viti.
Papa Françesku gjithashtu foli edhe për kritikat që merr.
“Është një televizion i madh katolik që vazhdimisht publikon thashetheme për Papën pa asnjë problem. Unë personalisht mund të meritoj sulme dhe ofendime sepse jam një mëkatar, por Kisha nuk e meriton këtë: është vepër e Djallit.
Po, ka edhe klerikë që bëjnë komente të këqija për mua. Ndonjëherë më mungon durimi, veçanërisht kur ata gjykojnë pa hyrë në një dialog të vërtetë.
Në këto raste nuk mund të bëj asgjë. Sidoqoftë, unë vazhdoj para pa hyrë në botën e tyre të fantazive. Për këtë arsye preferoj të predikoj”,- u shpreh ai.
/Priza.al/