“E hodha sepse nuk kisha mundësi ta mbaja”, kjo është deklarata e 32-vjeçares, e cila hodhi në lumin Kir gjatë natës foshnjën e saj 9-ditëshe.
Fëmija i saj u gjet në orët e para të mëngjesit të sotëm, i pajetë në vendin e quajtur Postribë, në lumin Kir. Mësohet se denoncimi për zhdukjen e bebes 9-ditëshe është bërë nga misionaret e kishës Katolike në Shkodër.
Dy misionare të Kishës Katolike kanë bërë denoncimin në polici pasi kanë parë që 32-vjeçarja nuk ka pasur me vete fëmijën e saj dhe kanë dyshuar për krimin e rëndë. Orjana Gremi, e cila u arrestua sot për vrasje me dashje nuk ka shprehur asnjë shenjë pendese për aktin e saj çnjerëzor.
Ajo ka thënë se kishte kryer veprimin pasi nuk kishte mundësi ta mbante foshnjen. Sipas të dhënave të para, 32-vjeçarja rezulton e lindur në Fier dhe ka jetuar në Shkodër tek dajat e saj në fshatin Postribë.
Banorët jashtë kamerave thonë se 32-vjeçarja nuk ka lidhje me zonën, ndërsa për të gjetur foshnjen ishin angazhuar fëmijë dhe banorë të zonës. Kujtojmë se foshnja lindi më 30 dhjetor 2022, ndërsa nëna e tij doli nga materniteti në 4 janar.