Tronditëse! Faktori njeri shkaktar i aksidentit në Bullgari? Prokurorët: Janë gjetur 44 trupa, 1 i zhdukur

Aksidenti i rënë që i shkaktoi vdekjen 46 personave para dy ditësh në Bullgari, dyshohet të jetë një gabim njerëzor.

Zëvendës kryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov ka thënë se në vendin e aksidentit janë gjetur trupat e 44 personave, tetë kanë mbijetuar ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.

Megjithatë prokurorët bullgarë hodhën poshtë gjithashtu spekulimet për ndonjë akt terrorist.

“Për momentin pista më e besueshme është ajo e faktorit njeri, për të cilin po shqyrtohen kushtet e seksionit ku ka ndodhur aksidenti, si sinjalistika dhe ndriçimi rrugor. Trotuari në të cilin ka goditur shoferi i autobusit është jo vetëm i panevojshëm në vend, por edhe i rrezikshëm. Në vendngjarje nuk pati asnjë shpërthim, por zhurma e fortë që u dëgjua ishte ajo e autobusit që u përplas në trotuar, ndoshta kjo është arsyeja pse autobusi mori flakë. Nga autopsitë rezulton se të gjithë pasagjerët kanë vdekur nga ngufatja prej tymit, jo nga goditja. Kjo do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit. Vlerësimi përfundimtar i shkaqeve të aksidentit do të duhet të jepet nga analiza përfundimtare, por versioni kryesor për momentin është gabim njerëzor – si shkak i aksidentit. Versioni për ndonjë akt terrorist është hulumtuar siç duhet nga ne. Ne e refuzojmë kategorikisht atë. Ka pasur informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburanteve, benzinë dhe dizel dhe se ato mund të kenë qenë shkaqet e shpërthimit të zjarrit. Kjo pistë është hetuar, por kategorikisht e hedhim poshtë si të pabazuar. Tre bidonë u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji, pra nuk ishin të mbushur dhe as të djegur. Kjo nënkupton se zjarri nuk është shkaktuar nga karburanti”, tha Sarafov në konferencë për media më 25 nëntor.

“Gjatë marrjes në pyetje, njëri prej të mbijetuarve ka thënë se janë shpëtuar tetë persona, jo shtatë. Njëkohësisht në vendin e tragjedisë janë gjetur 44 trupa. Hetuesit po kontrollojnë versionin për të parë nëse ka një tjetër të mbijetuar dhe ku ndodhet. Mund të ketë dalë nga kufiri me një mjet tjetër, një autobus tjetër, që duhet kontrolluar”, ka thënë prokurorja Sijka Mileva.

Dyshimet se në autobus ka pasur karburante, që mund të jetë bartur për kontrabandë, gjithashtu është hedhur poshtë si mundësi për shpërthimin e zjarrit.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë. Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *