Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se është i gatshëm të ulë tarifat që ai ka vendosur ndaj Kinës në mënyrë që kompania mëmë kineze e TikTok të pranojë të shesë aplikacionin, i cili përdoret nga 170 milionë amerikanë. “ByteDance” ka afat deri më 5 prill për të gjetur një blerës jo-kinez për TikTok për të shmangur mbylljen e aplikacionit të ndaluar në SHBA.
Ligji për ndalimin e TikTok – i cili u miratua nga administrata e mëparshme e Joe Biden për arsye të sigurisë kombëtare – hyri në fuqi në janar. Menjëherë pasi u betua si president i SHBA-së, Trump pezulloi zbatimin e tij dhe i dha “ByteDance” afat deri më 5 prill për të shitur platformën popullore.
Republikani tani ka deklaruar gatishmërinë e tij për të zgjatur afatin përtej prillit nëse nuk arrihet marrëveshje. Ai gjithashtu pranoi rolin që luan Kina në arritjen e ndonjë marrëveshjeje për shitjen e TikTok, duke thënë se “ndoshta do t’u ofroj atyre një ulje të vogël tarifash ose diçka për t’i bërë ata ta bëjnë atë”.
Ministria e Tregtisë e Kinës tha të hënën se pozicioni i saj për çështjen e tarifave mbetet i pandryshuar dhe shtoi se Pekini është i gatshëm të bisedojë me Uashingtonin mbi bazën e respektit reciprok, barazisë dhe përfitimit reciprok.