Fridman Xhaferaj u gjet i hedhur në rezervuarin e Gjançit me 13 qershor, pasi ishte dhunuar dhe vrarë në qytetin e Korçës. Të dyshuarit kryesorë të këtij krimi brutal janë Lulzim Spahija me nofkën “Arapi” dhe miku i tij Kristi Bixheku.
Viktima që prej 26 Majit 2021, ishte në kërkim nga policia e Lushnjes për shkatërrim prone dhe largim nga vendi i qëndrimit të caktuar nga gjykata. Nga hetimet ka rezultuar se edhe Lulzim Spahija, ishte në kërkim prej 21 Majit, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike
Kristi Bixheku një nga autorët e dyshuar si vrasës i Fridman Xhaferaj është arrestuar nga policia te spitali “Nënë Tereza”.
Xhaferraj ishte personi i akuzuar për djegien me qëllim të 3 makinave në afërsi të një qendre tregtare ndërsa ishte lënë me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Sipas të dhënave të policisë ai në datën 21 maj është liruar nga dhomat e paraburgimit duke u lënë në arrest shtëpie në fshatin Plug të Lushnjës.
Shenjat e gjetura në trupin dhe kokën e viktimës bënë që grupi hetimor të dyshojë se kjo mund të jetë një vrasje dhe se i riu para se te hidhej ne rezervuarin e Gjançit është dhunuar deri në vdekje diku tjetër.
Burimet policore evidentojnë faktin se në datat 25, 26 dhe 27 Maj 2021, Fridman Xhaferaj, ka qenë në shoqërinë e dy personave të dyshuar për vrasjen, Lulzim Spahija dhe Kristi Bixheku. Të tre së bashku kanë qëndruar në datat e mësipërme në ambientet e hotel “Dea” në Korçë, gjë e cila është konfirmuar jo vetëm nga verifikimi i regjistrave të këtij hoteli por edhe nga dëshmitë e punonjësve.
Ndërkaq, vëllai i viktimës, Aleksandër Xhaferaj, ka deklaruar para hetuesve se: “Në datën 24 Maj 2021, së bashku me vëllanë tim Fridmanin ka ardhur në shtëpi një person me emrin Kristi Bixheku, që drejtonte makinën tip “Mercedez-Benz” me ngjyrë të zezë me targa AA 980, ndërsa dy shkronjat e fundit nuk i mbaj mend. Bixheku, na ka marë mua dhe Fridmanin dhe së bashku kemi shkuar në Elbasan, dhe aty jemi takuar me Lulzim Arapin. Mbasi kemi konsumuar kafe, jemi ndarë ku unë dhe Kristi jemi kthyer në Lushnjë, ndërsa Lulzimi dhe Fridmani, kanë shkuar në drejtim të Korçës. Kur kemi shkuar në Lushnjë, Kristi Bixheku, ka paguar një shumë prej 22.000 lekë, pasi i ka prerë biletën për të shkuar në Greqi”.
/Priza.al/