Tubimi i 11 shkurtit, PD njofton policinë: Presim 100 mijë protestues në Bulevard

Partia Demokratike parashikon 80 deri në 100 mijë protestues në protestën e 11 shkurtit. PD ka depozituar njoftimin për mbajtjen e protestës së 11 shkurtit në Polici duke dhënë edhe detaje për vendosjen e qytetarëve dhe organizatorët.

Përballë Kryeministrisë pritet të vendoset një foltore. Po ashtu, sqarohet se personat që do të flasin do të jenë drejtues dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Për të ndihmuar në mbarëvajtjen e tubimit do të jenë rreth 200 persona të cilët do të jenë të pajisur me letra dalluese.

Protesta pritet të nisë në orën 12:00, por nuk specifikohet se sa do të zgjasë. PD thotë se motivi i protestës është për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, pasi “ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë”.

“Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë.

Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00;

Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit;

Foltorja do të vendoset në Bulevard përballë Kryeministrisë;

Personat që do të flasin në protestë do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Grupi i personave ndihmës për mbarëvajtjen e tubimit do të jenë rreth 200 persona me moshë mbi 18 vjeç, të pajisur me shenjat dalluese, shirit i bardhë me mbishkrimin PMT”, thuhet në letrën e grupit të Berishës drejtuar policisë.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *