Tubimi i Opozitës, analisti: Qytetarët u thirrën për revolucion, protesta u tradhëtua!

Analisti Erl Murati e cilësoi protestën e sotme të opozitës si të tradhëtuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Duke folur për Panorama TV, Murati tha se lideri i opozitës nuk mund të flasë për revolucion e më pas të përfundojë me një xhiro në Bulevard.

“Njerëzit u thirrën për revolucion dhe pamë që kjo protestë që Berisha e shfryu këtë cunam popullor duke e katandisur në një xhiro të zakonshme që PD i bënte kur drejtohej nga Basha. Të paktën nuk pamë që Berisha të drejtonte një revolucion. Kishte një pjesëmarrje të madhe. Në 2019 kur PD bënte protesta dhe bënte ecje rreth kryeministrisë, militantët e kritikonin për atë që bënte. Berisha e shfryu angazhimin popullor duke e katandisur në një protestë të zakonshme”, tha Murati.

Sipas tij “Berisha duhet të jetë i sinqertë dhe i drejtëpërdrejtë me simpatizantët. Nëse ka vendosur të bëjë protesta rutinë me parakalime, është e drejtë që të ndodhë kështu. Por duhet t’ua thotë simpatizantëve. Protesta në çdo rast duhet të jetë e qetë dhe paqësore, por në momentin që flet për revolucion dhe qëndresë, nuk mund të bëhet me gjysmë ore para kryeministrisë. Berisha e tradhëtoi protestën dhe pritshmëritë e simpatizantëve. Njerëzit që kanë ardhur nga rrethet dhe kanë dalë aty për të manifestuar, kanë kosto për këtë që ka ndodhur. Berisha nuk e mbajti premtimin për një qëndresë qytetare deri në largimin e Ramës. Këtu ne vetëm qëndresë qytetare dhe mosbindje civile nuk pamë. Në momente të caktuara edhe Basha ka bërë protesta më të forta.

Berisha mund të ketë arsyet e tij, personale familjare por në momentin që e fton popullin për qëndresë qytetare dhe nuk e mban fjalën, hap krahun dhe të vijë dikush tjetër. Të jetë për shëtitje në Bulevard, shumë mirë ishte Basha. Protesta nuk çalonte te organizimi, doli populli i Tiranës dhe erdhën njerëzit edhe nga rrethet. Protesta çaloi te drejtimi. Nëse vazhdon kështu protestat e ardhshme do të jenë edhe më të vogla. Nëse del çdo javë dhe thua “revolucionin po e shtyjmë për javën tjetër”, njerëzit do të zhgënjehen dhe nuk do të vijnë më. Nëse protestat do të jenë të përjavshme, numri i qytetarëve që do të vijnë do të jetë më i ulët”, tha Murati.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *