Javën e shkuar nisi ardhja e parë e grupeve të turizmit të organizuar në mënyrë më masive në bregdetin e Durrësit.
Të enjten ishin charterat e parë me polakë teksa të shtunën ishin ata me nordikët që mbërritën pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë.
Në Aeroportin e Tiranës u ulën chartera nga Oslo, Norvegjia dhe Kopenhagen në total katër të tillë. Në vazhdim pritet që numri i charterave të vijë në rritje me turistë nga destinacione të ndryshme që vijnë të organizuar nga marrëveshjet e turoperatorëve shqiptarë me agjencitë e huaja.
Turizmi i organizuar edhe këtë vit pritet të ketë epiqendrën e tij në Durrës teksa heqja e kufizimeve të pandemisë do të ketë efekt edhe në Sarandë ku turistët e organizuar vijnë nga aeroporti i Korfuzit.
Strukturat hoteliere shprehen se janë të gatshme të presin turistët e huaj ku pjesa më e madhe e tyre janë në marrëdhënie kontratash me garanci për të cilat më herët është shprehur shqetësim se janë me kosto më të ulët sesa kostoja aktuale që ka pësuar rritje të dukshme.
Turizmi i organizuar ende nuk është dominues në vendin tonë por rritja e tij nga viti në vit ka qenë e dukshme qoftë në numrin e turistëve qoftë në destinacionet nga vjen ky turizëm.
Gjatë dy viteve të pandemisë ky turizëm u zbeh dhe vëmendjen e mori turizmi patriotik ku kontributi kryesor vinte nga shqiptarët e Kosovës. Tashmë me kthimin e normalitetit duket se kemi sërish një përmbysje të tendencave.
Të dhënat zyrtare nga lëvizja e shtetasve të publikuar nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 4 muajt e parë të vitit në vendin tonë hynë 1.07 milionë shtetas dhe në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2021 kjo shifër e të huajve në Shqipëri ishte 42 për qind më e lartë.
Rritja është ndikuar nga shtimi i ndjeshëm i hyrjeve nga të gjitha shtetet, me përjashtim të Kosovës, që ra me gati 14%. Hyrjet nga Greqia u gjashtëfishuan, teksa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin pothuajse të paralizuara. Shtetasit nga Italia pothuajse u trefishuan, nga Spanja u pesëfishuan, nga Anglia u gjashtëfishuan./monitor