Në verën e vitit 2024, shqiptarët kanë shtuar preferencën për pushimet në Turqi dhe Greqi, pavarësisht rritjes së çmimeve me 10-15% këtë vit në këto vende.
Me një euro të lirë dhe shtrenjtim shumë më të lartë të çmimeve në jug të Shqipërisë, shumë turistë kanë zgjedhur të kalojnë pushimet e tyre në këto destinacione të njohura, duke shfrytëzuar ofertat ekonomike dhe shërbimet gjithëpërfshirëse. Agjencitë turistike pohojnë se prenotimet për Turqi dhe Greqi kanë qenë në nivelet më të larta historike këtë vit.
Prej vitesh Elona i kalonte pushimet me familjen e saj në Qeparo, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët. Zgjedhja ishte gjithnjë një apartament 2+1.
Një vit më parë, qiraja ditore e apartamentit ishte 120 euro, nga 90-100 euro që ajo e kishte marrë më parë, por gjithsesi zgjedhja e saj nuk ndryshoi. Kur kërkoi të rezervonte këtë vit, i njëjti apartament kushtonte 200 euro nata, por pronarja i tha se si klientë e rregullt mund ta marrte me 150 euro/nata.
Elona thotë se ky çmim iu duk tepër i lartë, për më tepër që edhe çadra ditore tashmë kushtonte 3 mijë lekë nga 2 mijë lekë më parë. “Me të njëjtin standard kam gjetur një apartament në zonën më të mirë të Korfuzit të Greqisë për 100 euro/nata dhe normalisht që këtë vit do të shkoj aty”, thotë ajo.
Shumë miq të saj i kanë thënë se në Himarë çmimet janë edhe më të shtrenjta dhe minimalisht janë 30-40% më shumë sesa një vit më parë. Edhe ata kanë bërë llogaritë nëse ia vlen më mirë t’i bësh pushimet brenda vendit, apo jashtë.