Sezoni turistik veror i këtij viti po shfaqet me tendenca të ndryshme, por të gjithë bien dakord se do të jetë një vit, më i mirë se ata që lamë pas në pandemi. Optimistët besojnë se do të kemi një vit edhe më të mirë se 2019-a, pesimistët afër këtij viti që ishte më i miri historik. Në praktikë, deri më tani, Durrësi po mban vendin e kampionit për turizmin e organizuar, me një kërkesë që shkon 30% mbi kapacitetin. Saranda, edhe pse nuk ka rritje të turizmit të organizuar, ka parë rritje interesi të të huajve individualë, kryesisht të rinj europianë. Vlora pret që të ketë një numër të konsiderueshëm të italianëve, kurse Himara mbetet e preferuara e familjarëve. Motori i turizmit pritet të ndizet plotësisht në pjesën e dytë të korrikut dhe gjithë gushtin. Çmimet e hoteleve kanë shënuar rritje nga 10-50% në gjithë vendin duke i bërë turistët më të kujdesshëm me shpenzimet.
Besoj edhe ju, në rrethin familjar apo shoqëror, keni dëgjuar tek-tuk t’ju pohojnë këtë verë fjalinë: Do të ik jashtë për pushime, kam gjetur një paketë shumë të mirë. Është e vërtetë që pas dy vitesh kufizime prej pandemisë, një pjesë e shqiptarëve kanë zgjedhur të pushojnë jashtë. Më tepër prej lirisë së fituar rishtazi pas kufizimeve, marketingut agresiv dhe paketave me të gjitha të përfshira të ofruara nga disa vende. Në anën tjetër, vihet re rritje interesi nga turistët e huaj për Shqipërinë këtë sezon. Rritja e flukseve turistike është një tendencë që po përjeton çdo destinacion, mjaft të hedhësh sytë nga fqinjët si Greqia, Mali i Zi, Kroacia. Të gjithë parashikojnë të kenë vitin më të mirë turistik, madje edhe më të mirë se viti 2019, që mbështetet në statistikat e fundit.
Për vendin tonë, tur-operatorët, njohësit e sektorit dhe përshtypjet nga terreni nuk tregojnë një panoramë vetëm të bardhë apo vetëm të zezë në këtë sezon. Është shumë më komplekse se kaq dhe tendencat që po shfaqen variojnë nga rajoni në rajon. Pavarësisht problematikave dhe rezervave, shumica presin që ky të jetë një vit i mirë për turizmin. Kahu më pesimist e pret që të jetë disi më poshtë se shifra e 2019-ës, viti më i miri në historinë e turizmit në vend, kurse optimistët mendojnë se mund të jetë po aq i mirë sa ky vit, madje edhe me një rritje të lehtë.
Teksa pjesa e parë e sezonit ka kaluar, pjesa nga 15 korriku deri më 31 gusht parashikohet të jetë kulmi i sezonit për gjithë vendin. Ai që këtë vit ka shërbyer si faktor frenues është rritja e kostove e për rrjedhojë, çmimeve.
Durrësi, “kampion” i turizmit të organizuar, kërkesa mbi kapacitetet
Durrësi është rikthyer këtë sezon turistik me një rritje të kërkesës nga agjencitë e huaja për turizmin e organizuar. Teksa në pandemi, këto grupe ishin të kufizuara apo disa tregje munguan edhe plotësisht, këtë verë kërkesa është mbi kapacitetet. Këtu bëhet fjalë gjithmonë për struktura me një numër të madh dhomash, të përshtatshme për këtë lloj turizmi. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, shprehet se edhe kjo verë është e Durrësit dhe se ashtu si pjesa e parë e verës, edhe pesa e mbetur parashikohet të jetë e mirë.
“Durrësi është edhe në këtë sezon shumë mirë, flasim për qershorin e korrikun. Por pritshmëritë janë njëlloj dhe për në vazhdim. Të paktën, turizmi i organizuar është shumë më mirë sesa dy sezonet e kaluara, pasi heqja e kufizimeve dhe rikthimi i disa tregjeve që munguan gjatë pandemisë ka rritur numrat. Mund të themi që për strukturat akomoduese, të cilat përmbushin kushtet që kërkon ky lloj turizmi, kërkesa është gati 30% më e lartë mbi kapacitetin që kemi mundësi të ofrojmë”, – shprehet Kasa.
Por teksa për turizmin e organizuar ka një rritje të interesit ku këtë verë janë rikthyer edhe nordikët që munguan gjatë pandemisë, për turizmin individual, perceptimi është i ndryshëm. Blerim Norja, nga Royal G, shprehet se ky lloj turizmi në tërësi për Durrësin duket sikur ka pasur ecuri më të dobët në pjesën e parë të verës.
“Durrësi, në përgjithësi, ka një rënie në raport me vjet, diku tek 15% të turistëve. Është mungesa e turistit ukrainas që kishte nisur të vizitonte këtë destinacion. Pjesa e organizuar me tregjet tradicionale Poloni, Çeki ka qenë shumë mirë, madje ka pasur edhe rritje të numrit të rezervimeve më shumë sesa ishte rezervimi fillestar. Për t’u kthyer edhe një herë te tregjet individuale, ata që shoh të pranishëm janë italianët, serbët, shqiptarët e Kosovës. Këta të fundit, duket sikur janë disi më pak se vjet”, pohon Norja.
Lidhur me çmimet, ai shprehet se ka një rritje të përgjithshme vetëm për Durrësin, me 15%, ndërsa për ushqimin, më pak se 10%. Pritshëmritë e tij janë që këtë vit, edhe shtatori të jetë shumë mirë, ndërkohë që gushti ka qenë historikisht muaji më i mirë. Z.Norja vlerëson se ka interes për rezervime që shkojnë deri në shtator dhe kjo është baza për të menduar se do të kemi një sezon që do të zgjasë.
Shëngjini “mbështetet” te Kosova dhe diaspora, kostot rrisin çmimet
Shëngjini, me disa struktura të mëdha dhe me “traditë” në ofrimin e turizmit të organizuar, këtë vit mbështetet kryesisht në turizmin patriotik dhe individual. Bledar Shima, menaxher i “Maritim Rafaelo Resort”, thotë se pjesën kryesore të turistëve e përbëjnë shqiptarët e Kosovës, si dhe diaspora e këtij vendi dhe Shqipërisë.
Ai shprehet se pandemia solli një lloj ngërçi me kontratat me garanci, por interesi për to nuk ka munguar nga agjencitë e huaja dhe me shumë mundësi në vitin 2023 do të ketë kontrata aktive.
“Këtë vit kemi turistët e diasporës të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe shqiptarë të Kosovës, që janë tradicionalisht një grup i rëndësishëm për Shëngjinin. Nuk kemi kontrata me garanci, për shkak të kufizimeve në fuqi dy vitet e shkuara të pandemisë. Për vitin 2023, do të shohim sërish mundësitë që kemi, për të mbyllur kontrata me garanci, pasi kemi pasur interes nga zviceranët.
Kosova ka interes të madh për Shëngjinin këtë vit dhe kjo është reflektuar në numra mjaft të mirë. Kjo ka nxitur edhe investimet në sektorin e hotelerisë, ku janë hapur struktura të reja, ndërkohë që ka edhe një angazhim më të madh për përshtatjen e apartamenteve apo banesave për atë grup turistësh që i preferojnë. Fundjavave, Shëngjini është plot” pohon Shima.
Ai vlerëson gjithashtu se ka pasur rritje të dukshme të kostove në disa segmente si energjia, pagat, nafta apo ushqimet, e cila ka sjellë rritje me 20-30% të çmimeve nga strukturat akomoduese në zonën e Shëngjinit. Nëse ky vit do të jetë më i mirë se ai 2019 për turizmin, z. Shima shprehet se do të jetë një vit i mbarë por nuk mendon se do arrijë nivelin e vitit më të mirë historik të turizmit në Shqipëri.
Vlora pritet të “pushtohet” nga italianët, turistët më të matur me shpenzimet
Vlora në qershor dhe pjesën e parë të korrikut nuk ka shënuar ndonjë rritje të jashtëzakonshme të turistëve. Sigurisht ata nuk mungojnë, por piku i sezonit pritet të jetë në pjesën e mbetur të verës. Enrik Mehmeti, gazetar dhe njohës i sektorit, shprehet se pritshmëria ka qenë për një fluks të madh turistësh që në qershor, por duket se kjo u ndikua nga pasiguria e përgjithshme e luftës Rusi-Ukrainë dhe kriza e çmimeve.
“Qershori dhe fillimi i korrikut paraqiten disi më të dobët se vitet e kaluar dhe kjo mendoj që vjen nga ndikimi i luftës Rusi-Ukrainë, e cila po ndihet edhe në vendin tonë. Është normale të shohësh shumicën e çadrave bosh, jo vetëm në Vlorë por edhe në ato vende që njihen si destinacione shumë të preferuara për pushime, siç janë Dhërmiu, Jali, Himara, Saranda e me radhë.
Nga ana tjetër, pritet një bum turistësh kryesisht italianë, nga mesi i korrikut dhe deri në shtator. Sipas informacionit që kam nga operatorë turistikë, turizmi këtë vit do të vijojë deri në mes të shtatorit, diçka që mbështetet nga ardhja e italianëve. Ndërkohë që periudha nga mesi i korrikut e deri në fund të gushtit do të ketë pikun e ardhjes së turistëve, duke ndryshuar tërësisht panoramën turistike të sezonit dhe duke bërë diferencë”, – pohon Mehmeti.
Sipas tij, rritja e çmimeve ka ndodhur edhe në zonën e Jugut në shumicën e strukturave, por edhe në restorante, e për pasojë turistët po tregohen më të kujdesshëm me shpenzimet.
“Ajo që vihet re është se turistët po marrin dhoma, pavarësisht çmimit më të shtrenjtë të tyre. Janë të gatshëm të paguajnë për një dhomë komode dhe me kushte, por nuk është e njëjta sjellje kur bëhet fjalë për bar-restorantet. Janë më të kujdesshëm me zgjedhjen e tyre, kërkojnë më gjatë për vende më të lira. Kanë tendencën të kërkojnë menunë dhe të shohin me detaj çmimet, jo si më parë kur jepej menjëherë porosia. Jeta e natës këtë vit është e vakët, nuk është ajo e viteve të kaluara, por pritet që të “shpërthejë në gusht” shprehet z.Mehmeti./monitor
Himara tërheq pushuesit besnikë vendas, por edhe të huajt individualë
Himara ka pasur ecuri mesatare të turizmit në pjesën e parë të verës, mbështetur kryesisht nga të huajt dhe në fundjavë edhe me vendas. Shtimi i disa strukturave të reja akomoduese në këtë zonë, me kapacitet mesatar, ka rritur interesin edhe nga turizmi i organizuar, por ai mbetet në nivele të ulëta.
Operatorët pohojnë se piku i sezonit do të jetë gushti edhe për këtë qytet. Në këtë periudhë pritet rritje e turistëve të huaj, por edhe “besnikëve” brenda vendit, që kryesisht janë familje që kanë zgjedhur të mos largohen jashtë.
Në gusht, një pjesë e madhe e strukturave janë tashmë të rezervuara me një okupancë (zënie) të kënaqshme, ndërkohë që është rritur preferenca për apartamente, duke nxitur shumë himarjotë të bëjnë rikonstruktime dhe investime për t’i përshtatur si struktura për turistët.
Numri i apartamenteve dhe banesave të kësaj natyre është rritur ndjeshëm. Operatorët turistikë konfirmojnë gjithashtu se familjarët kanë zgjedhur pikërisht apartamentet dhe hotelet mesatarë, ndërkohë që hotelet luksozë vijojnë të mbeten të disponueshëm në një pakicë dhomash dhe rezervimet në to janë kryesisht nga të huajt dhe diaspora shqiptare. Çmimet në Himarë janë rritur në intervalin mes 15-30% për një pjesë të mirë të hoteleve.
Sarandën po e vizitojnë të rinjtë evropiane, më pak turizëm i organizuar
Saranda, për disa vite, përjetoi rritje graduale të turizmit të organizuar ku agjencitë e huaja, nëpërmjet charterave që uleshin në Korfuz sillnin vizitorë në bashkëpunim me tur-operatorët vendas. Por duket se ky lloj turizmi i zbehur tërësisht gjatë pandemisë, për shkak të kufizimeve, do të mbetet i tillë edhe këtë vit. Përkundër kësaj vihet re se interesi i të huajve që vijnë individualisht është në rritje, duke kompensuar mungesën e grupit të parë.
Arben Çipa, nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë, shprehet se po bie në sy tendenca e vizitorëve të rinj nga vendet evropiane që u pëlqen të eksplorojnë në tërësi Shqipërinë dhe që përdorin Aeroportin e Korfuzit për të ardhur drejt Sarandës.
“Si sezon është me popullsi turistike të konsiderueshme, veçse ka ndryshuar formati i turistit. Nëse deri vitin e kaluar, kemi pasur familjarë si turistë, këtë vit vihet re fenomeni i çifteve me moshë të re dhe pjesa më e madhe, rreth 90% e tyre janë turistë perëndimorë.
Janë spanjollë, francezë, anglezë që vijnë në mënyrë individuale, përmes rezervimeve në platformat online si Booking. Vijnë nga Korfuzi, që është rruga më e lehtë për fluturimet dhe që europianët e kanë shumë më të lehtë për të aksesuar Sarandën”, pohon ai.
Sipas z.Çipa, edhe në zonën e Sarandës dhe Ksamilit, strukturat kanë qenë të detyruara të rrisin me 10% çmimet për shkak të rritjes së kostove.