Turizmi shqiptar, përmirësim me hapa të vogla/ 243 struktura akomoduese marrin certifikatën e kategorizimit  

Plot 243 struktura akomoduese kanë kaluar vlerësimin e autoriteteve dhe kanë marrë certifikatën e kategorizimit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për këtë vit.

Të dhënat e publikuara në raportin 8-mujor të këtij institucioni, tregojnë se përveç kategorizimit të këtyre strukturave, janë hapur edhe disa dhjetëra agroturizme.

“Në programin ‘Zhvillimi i Turizmit’ për 8-mujorin e vitit 2021, me fondet e akorduara është arritur qëllimi i programit, nëpërmjet të cilit synohet kthimi i Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik, cilësor dhe të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar potencialet dhe burimet lokale, duke u fokusuar në atë që është unike në Shqipëri.

Produktet të cilët kanë kontribuar në realizimin e qëllimit dhe objektivave të këtij programi paraqiten si vijon: Kanë hyrë 4.38 milionë shtetas të huaj në Shqipëri, nga të cilët janë 3.62 milionë turistë brenda sezonit veror dhe 754 mijë jashtë sezonit veror; Janë hapur 32 biznese të reja në sektorin e agroturizmit; Janë 243 struktura akomoduese që kanë marrë certifikatën e kategorizimit”,- thuhet në dokument.

Kategorizim i strukturave

Pas miratimit të ligjit për turizmin pak vite më parë qeveria, miratoi edhe rregulloren për kategorizimin e strukturave akomoduese. Kjo do të thotë që çdo subjekt që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, është i detyruar të aplikojë pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për t’u pajisur me certifikatën e kategorizimit.

Kjo u mundëson atyre të trajtohen me regjim të veçantë TVSH-je prej 6 për qind.

Kategoritë për të cilat mund të aplikojë një strukturë për t’u certifikuar janë nga bujtina e fjetina tek kampingu, hoteli e restorti apo qendër kurative.

Secila nga strukturat që aplikon, duhet që të përmbushë një sërë kriteresh specifike për të përcaktuar në rregullore përmes shtojcave. Po kështu duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm që lidhet me të, ku bën pjesë vetëdeklarimi, akti i pronësisë apo përdorimit të strukturës, regjistrimi në QKB, planimetria e strukturës e një sërë dokumentesh të tjera.

/Burimi: Monitor.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *