Shqipërinë e vizituan në muajt janar -tetor 5.1 milionë shtetas, duke shënuar një rritje gati dyfish në raport me një vit më parë kur kulmoi pandemia, por në raport me vitin 2019 hyrjet ishin 11.5 për qind më pak.
Të paktën 48 për qind e vizitorëve ishin nga Kosova në janar-tetor këtë vit nga 36 për qind që ishin në vitin 2019 duke reflektuar kështu qartë peshën dhe kontributin që kanë pasur në turizëm ky grup.
Por edhe pse Kosova ka qenë në nivele më të mira duket se nuk ka arritur të kompensojë rënien e pësuar nga të tjerë destinacione. Italia dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë ato që kanë shënuar ulje të hyrjeve në vitin 2021 në raport me 2019 me nga 27 për qind më pak, polakët 16 për qind më pak dhe Mali i Zi 13 për qind më pak. Rënien më të fortë ndër të gjithë vizitorët duket se e kanë hyrjet nga Greqia me 57 për qind.
Instituti i Statistikave publikoi lëvizjet e shtetasve duke reflektuar edhe tendencat kryesore të grupeve që e kanë vizituar vendin tonë. Në raport me vitin 2020 INSTAT raportoi se numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë dhjetëmujorit të 2021, është 5.177.116, duke u rritur me 2,2 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 . Përgjatë dhjetëmujorit të 2021, vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4,6 herë dhe Spanja me 4,4 herë, ndërsa Greqia ka pasur rritjen më të ulët me 11,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Daljet e shtetasve
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor 2021, janë 621.149 duke shënuar një rritje me 28,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor 2021, janë 311.390. Krahasuar me Tetor 2020, ky numër është rritur me 13,6 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2021, janë 309.759. Krahasuar me Tetor 2020, ky numër është rritur me 46,7 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë dhjetëmujorit të 2021, është 3.534.819. Ky tregues është rritur me 42,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.