Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shitblerja e votave në Vlorë. Bëhet e ditur se pas sekuestrimit të telefonave, janë zbuluar se ka pasur biseda që lidhen me LSI-në. Burime zyrtare njoftuan pak më herët se dy persona po ndiqen në gjendje të lirë, pasi akuzohen për ‘krimet zgjedhore’, për ‘shitblerje të votës’ në qytetin e Vlorës.
Policia e Vlorës njofton se po ndiqen penalisht një person me shtetësi turke Abdulgafur Balikçi, 23 vjeç, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Vlorë, dhe një shqiptar Juriseld Muçaj, 24 vjeç, banues në Vlorë.
Ky i fundit dyshohet se në kohë të ndryshme, ka marrë një shumë lekësh nga shtetasi Abdulgafur Balikçi, për sigurimin e disa emrave personash të njohur prej tij për dhënie vote në zgjedhjet e 25 prillit.
Gjatë ndalimit të tyre, sipas burimeve, janë gjetur një bllok me emra, të personave që dyshohet se do u blinin votën si edhe u janë sekuestruar telefonat celular për shkak se ka pasur biseda që konfirmonin këtë vepër penale.
Turkut i janë kapur 2 telefona, ku ka pasur biseda për blerje vote për LSI-në. Kjo çështje do ti kalojë SPAK-ut, sa kohë që krimet zgjedhore i kanë kaluar për kompetencë organit më të lartë të akuzës në vendin tonë.
Ndonëse në skenë ka dalë LSI-ja për blerje votash, çdo ditë e më shumë Kreu i Shtetit, Ilir Meta së bashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi sulmojnë partitë e tjera se po vjedhin zgjedhjet.