Kryesuesi i listës së LSI-së për qarkun e Vlorës, Luan Rama, ka përcjell një reagim në lidhje me dhënien e parave në këmbim të votës për LSI-në. Pas procedimit penal të nisur ndaj shtetasit turk Abdulgafur Balikçi, i cili i kishte dhënë para një vlonjati me qëllim që të siguronte disa vota për LSI-në, Luan Rama tregon çfarë fshihet pas kësaj.
Me anë të një reagimi në Facebook, Luan Rama i ka kërkuar Prokurorisë që të zbardhë të vërtetën dhe të zbatojë ligjin, pasi sipas tij, kjo është një përpjekje për të provokuar apo për të shantazhuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së.
Ai shprehet se manipulimi i këtij lajmi, është vetëm përpjekja e rradhës që synon të trembë e frikësojë votuesit. Luan Rama sqaron opinionin publik se Abdulgafur Balikçi apo Gafuri siç e njohin në Vlorë është shtetas shqiptar me origjinë turke, me profesion mjek stomatolog. Ky i fundit është i angazhuar në radhët e LSI-së.
Statusi
25 prilli – dita e madhe e fitores:
PROKURORIA TË ZBARDHË TË VËRTETËN DHE TË ZBATOJË LIGJIN
Asnjë makinacion, asnjë përpjekje për të provokuar apo për të shantazhuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, nuk mund t’i shpëtojë banditët e rilindjes nga humbja e 25 prillit.
Manipulimi mediatik i një lajmi të shitur qëllimisht nga segmente kriminale brenda strukturave të Policisë së Shtetit në Vlorë për shitje e blerje votuesish në emër të LSI-së nga ana e qytetarit Abdulgafur Balikçi, është vetëm përpjekja e rradhës që synon të trembë e frikësojë votuesit.
Abdulgafur Balikçi apo Gafuri siç e njohin në Vlorë është shtetas shqiptar, është qytetar shqiptar me origjinë turke që jeton dhe punon ndershmërisht me profesionin e tij si mjek stomatolog, i angazhuar me shumë pasion në rradhët e LSI-së pasi braktisi sektin e rilindjes, e mu për këtë arsye është vënë në qendër të këtij skenari përbaltjeje dhe manipulimi.
Organet e zbatimit të ligjit të kryejnë detyrën me korrekstësi.
Duke qenë besimplotë se prokuroria do ta zbardhë të vërtetën, besoj se do të marrë në përgjegjësi penale edhe oficerët e policisë që kanë ushqyer portalet me lajme të rreme e politikisht të paragjykuara, duke dëshmuar se militantët e rilindjes në rradhët e policisë së shtetit janë një segment kriminal i saj.
Nëse mjeku Abdulgafur Balikçi apo çdo qytetar tjetër është i implikuar në shkelje të ligjit, le të ndëshkohet sipas ligjit, por këtë nuk mund t’a bëjë policia duke shitur lajme të pa konfirmuara nga organi i akuzës dhe të pa vlerësuara nga gjykata.