Turneu ‘UEFA Development U-15’ për vajza, Shqipëria merr fitoren e parë ndaj Andorrës

Kombëtarja shqiptare U-15 e nisi me fitore turneun ‘UEFA Development U-15’ për vajza. Ekipi kuqezi mundi Andorrën me rezultatin 1-0 në ndeshjen e zhvilluar ditën e sotme në kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Një ndeshje mëse e merituar nga vajzat shqiptare, të cilat zhvilluan një ndeshje shumë të mirë.

Në krye të pankinës kuqezi është trajneri Kreshnik Krepi, i cili hodhi në fushë këtë formacion: Laura Gjergji, Imelda Ara, Adile Sharka, Audrina Lajthiza, Albina Tashi, Gelda Kadiolli (c), Tiana Gjonaj, Samanta Hysa, Anja Goskova, Olivia Nazarko, Aishe Sulejmani.

Vajzat kuqezi prodhuan disa raste mjaft të mira për shënim në pjesën e parë të takimit, por nuk ia dolën të gjenin saktë rrjetën, teksa vlen të theksohet se kontrolluan e qarkulluan topin shumë mirë. Në minutën e 31-të, trajneri Krepi vendos të fusë në lojë autoren e golit të vetëm, Egla Hoxhën. Pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura, ndërsa me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, trajneri Krepi bëri disa zëvendësime në radhët e ekipit të tij, duke hedhur në fushë Besarda Gurin, Klausia Murataj, Melina Kryemadhin, Erina Bajramaj dhe Orgesa Reçin.

Goli erdhi nga goditja nga këndi, me Gelda Kadiollin që gjuan topin, që gjehet mjaft mirë nga Egla Hoxha, e cila me kokë dërgon sferën në rrjetën kundërshtare dhe i jep avantazhin Shqipërisë së vajzave U-15 në minutën e 45-të. Ky është edhe goli i vetëm i sfidës, që i jep kështu Kombëtares shqiptare tre pikët e para në këtë turne, shumë i vlefshëm për zhvillimin e futbollit të vajzave.

Veç Shqipërisë, në këtë turne marrin pjesë edhe Andorra, Greqia e Estonia, me ndeshjet që do të luhen të gjitha në vendin tonë në datat 12-14 dhe 17 shtator. Sot do të luhet edhe ndeshja tjetër e turneut, mes Greqisë dhe Estonisë, në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz në ora 13:30.

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *