Kina mbrojti të enjten ndryshimet në politikat e saj pas rritjes së numrit të infektimeve me COVID-19. Reagimi i Kinës erdhi pasi Presidenti i SHBA-së, Joe Biden shprehu shqetësim dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se Pekini po raporton më pak vdekje nga virusi se sa është numri i vërtetë.
Drejtori i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan, të mërkurën bëri kritikat më të ashpra deri më tani nga kjo agjenci e OKB-së, duke thënë se zyrtarët kinezë po minimizonin të dhënat në disa fronte.
Në dhjetor, Kina hoqi kontrollet e saj të rrepta në përpjekje për të ndaluar përhapjen e “COVID-19” tek popullsia e saj prej 1.4 miliardë njerëzve, pas protestave kundër tyre.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning tha në një konferencë të rregullt për media në Pekin se Kina kishte ndarë në mënyrë transparente dhe të shpejtë të dhënat e “COVID-19” me OBSH-në dhe tha se “situata epidemike e Kinës është e kontrollueshme”.
“Faktet kanë vërtetuar se Kina gjithmonë, në përputhje me afatet kohore dhe transparencën, ka mbajtur komunikim të ngushtë dhe ka ndarë informacionin dhe të dhënat përkatëse me OBSH-në, në kohën e duhur”, tha zoti Mao.
Kina raportoi të mërkurën vetëm një vdekje nga “COVID-19” në territorin e saj, pa llogaritur Hong Kongun dhe Makaun. Një ditë më parë, Kina raportoi pesë të vdekur, ndërsa totali i njerëzve të vdekur zyrtarisht thuhet se është 5,259.
Zoti Ryan tha se shifrat e Kinës nuk përfshinin pranimet në spital, pacientët dhe vdekjet në njësinë e kujdesit intensiv duke sqaruar se përkufizimi i Pekinit për vdekjet e lidhura me “COVID-19” ishte shumë i ngushtë.
Disa orë më vonë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden ngriti shqetësimin për trajtimin që po i bën Kina shpërthimit të valës së re të të infektuarve me “Covid-19”.
“Ata janë shumë të ndjeshëm … kur ne themi se nuk kanë qenë aq të suksesshëm për të planifikuar më mirë përballjen me situatën”, u tha zoti Biden gazetarëve.
Ministri francez i shëndetësisë shprehu shqetësim të ngjashëm, ndërsa ministri gjerman i shëndetësisë, Karl Lauterbach shprehu shqetësim për një nënvariant të ri të “COVID-19” që lidhet me rritjen e numrit të pacientëve në spitalet amerikane.
SPITAL I STËRMBUSHUR
Shtetet e Bashkuara janë një nga më shumë se 10 vende që kanë vendosur kufizime për udhëtarët nga Kina. Gjermania njoftoi rregulla më të forta të enjten.
Kina, e cila kritikoi masat e reja ndaj udhëtarëve nga Kina, tha se kufiri i saj me Hong Kongun, rajonin e saj të veçantë administrativ, do të rihapet të dielën, për herë të parë brenda tre vjetësh.
Kompania e fluturimeve, “Cathay Pacific Airways” e Hong Kongut tha të enjten se do të dyfishonte fluturimet drejt pjesës tjetër të Kinës.
Miliona njerëz pritet të udhëtojnë brenda Kinës gjatë janarit, për festën e Vitit të Ri kinez, një ngjarje për të cilën OBSH ka thënë se mund të nxisë një valë tjetër infeksionesh nëse masat paraprake dhe vaksinimi mbesin në shkallën e njëjtë.
Kina ka minimizuar ashpërsinë e situatës.
Media shtetërore, “Global Times” shkroi të mërkurën se “COVID-19” kishte arritur kulmin e infeksioneve në Pekin dhe disa qytete, duke cituar intervista me mjekë.
Por, agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi të enjten se në një spital në një nga rrethet periferike të Shangait, pacientët në shtretër mbushën korridoret e urgjencës dhe hollin kryesor. Sipas informacioneve të një dëshmitari, pa ia zbuluar identitetin, Reuters shkruan se shumica e pacientëve janë të moshuar dhe disa prej tyre merrnin frymë me bombola oksigjeni.
Një tabelë njoftimesh tregonte se pacientët duhet të prisnin mesatarisht pesë orë për t’u trajtuar.
Stafi e deklaroi një pacient të moshuar të vdekur dhe mbi trupin e tij, që gjendej në dysheme, vendosi shënimin se shkak për vdekjen ishte “bllokimi i frymëmarrjes”.
MANGËSITË E TË DHËNAVE
Duke raportuar numra që konsiderohen si shifrat më të ulëta të vdekjeve nga COVID-19 në botë, Kina është akuzuar se po zvogëlon shifrat e vërteta të vdekjeve për arsye politike.
Në dhjetor, OBSH tha se nuk kishte marrë të dhëna nga Kina për shtrimet e reja në spital nga COVID-19 që nga koha kur Pekini hoqi dorë nga politika e ashpër kundër përhapjes së virusit Covid-19 e njohur si “zero Covid”.
Në raportin e saj të fundit javor, OBSH tha se Kina raportoi 218,019 raste të reja javore me COVID-19 që nga 1 janari, duke shtuar se boshllëqet në të dhëna mund të jenë për shkak të vështirësive që autoritetet kanë me numrit e vërtetë të të infektuarve.
Metodat për numërimin e vdekjeve nga COVID-19 kanë ndryshuar në vende të ndryshme që nga shpërthimi i pandemisë në qytetin kinez Wuhan, në fund të vitit 2019.
Zyrtarët kinezë të shëndetësisë kanë thënë se vetëm vdekjet e shkaktuara nga pneumonia apo mbushja e rrugëve të ajrit me lëngje dhe pamundësia për të marrë frymë tek pacientët e infektuar me “Covid-19” klasifikohen si vdekje nga COVID.
Ekspertët e sëmundjeve jashtë Kinës thonë se shifrave kineze iu mungojnë vdekjet si rezultat i komplikimeve të tjera fatale të shkaktuara nga COVID-19, nga mpiksja e gjakut tek sulmi në zemër, sepsa dhe dështimi i veshkave.
Ekspertët ndërkombëtarë të shëndetit parashikojnë të paktën 1 milion vdekje të lidhura me COVID-19 në Kinë këtë vit nëse nuk ka veprime urgjente. Firma që mbledhë të dhëna shëndetësore, me seli në Britani, “Airfinity”, ka vlerësuar se ka mundësi që numri i atyre që vdesin çdo ditë në Kinë nga Covid-19 shkon deri në rreth 9,000 njerëz./VOA/