Cristiano Ronaldo ka dalë i fituar! Ylli portugez i futbollit, ka fituar 626,000 dollarë nga avokati i Kathryn Mayorga, e cila e ka akuzuar për përdhunim.
Një gjykatës amerikan deklaroi se avokati Leslie Stovall, duhet t’ia dorëzojë personalisht paratë sportistit më të paguar në botë, pasi Ronaldo pretendoi se ishte paragjykuar nga ai. Po ashtu, gjykatësi rekomandoi që çështja civile kundër Ronaldos mbi akuzat për sulme seksuale të hidhet poshtë.
Futbollisti u akuzua për përdhunimin e Kathryn Mayorga, e cila pretendonte se ngjarja të kishte ndodhur në një hotel në Las Vegas në qershor të vitit 2009.
Sipas Mayorga, ajo nënshkroi një marrëveshje moszbulimi në 2010 dhe u pagua 275,000 £ për të mos dalë publikisht me pretendimin e saj.
Procedurat penale kundër Ronaldos u rihapën në vitin 2018, por u mbyllën vitin tjetër pasi prokurorët vendosën se akuzat nuk mund të “vërtetohen përtej dyshimit të arsyeshëm”.
Por pasi hoqi dorë nga anonimiteti i saj në 2018, Mayorga ngriti një çështje civile kundër Ronaldos, me përfaqësuesit e saj duke pretenduar se ajo nuk ishte në gjendje të mirë mendore për të nënshkruar marrëveshjen e moszbulimit në 2010.
Por padia u hodh poshtë kur gjyqtarja e qarkut amerikan Jennifer Dorsey vendosi se avokati i Mayorga, Leslie Mark Stovall, ishte mbështetur në të dhënat e zbuluara dhe të vjedhura nga Football Leaks. Nga ana tjetër, avokati i Ronaldos, Peter Christiansen, kërkoi që Stovall të ishte personi që do paguante 626,000 dollarë.
Dokumentet gjyqësore të depozituara më 14 shkurt të këtij viti tregojnë se gjyqtari e ka pranuar kërkesën dhe e ka shpërblyer atë me vetëm një pjesë të shifrës së lartpërmendur.